OP-ED Kolumne

Përballë Serbisë duhet të jemi një, e jo të ndarë në parti dhe ideologji!

Xhevdet Pozhari
Xhevdet Pozhari

Publikuar:

Sot jetojmë në një kohë kur zhurma shurdhuese është përhapur në të katër anët, kur thuajse të gjithë flasin e askush nuk dëgjon. Madje, nga zhurma ndonjëherë edhe nuk mund ta përcaktosh se cilin vlen ta dëgjosh, e cilin jo.

Sot në Kosovë jetojmë në një kohë kur thuajse është zhbërë kufiri që i ndanë të vërtetat nga gënjeshtrat, mençurinë nga llafazania e zbrazët që ka për qëllim ta mbulojë të vërtetën.

Andaj, jo rastësisht ndodh që ata të cilët janë përgjegjësitë kryesorë të gjendjes në të cilën është katandisur Kosova, sot të  kërkojnë llogari nga të tjerët për të bëmat e veta!

Por, sidoqoftë, edhe në kohë të tilla kur ka shumë llomotitës dhe gjithnjë e më pak dëgjues, mjeshtri është që të dallosh se kur duhesh të dëgjosh dhe kur duhet t’i mbyllësh veshët që mos të dëgjosh ulëritjet e atyre të cilët kanë mbetur pa pushtet.

Sot, kur Kosova ndodhet në udhëkryqin më të rëndësishëm që nga periudha e tranzicionit, kur gabimet nga e kaluara shndërrohen në peshë të rëndë për supet të cilat e bartin këtë barrë, e rëndësishme është të kuptojmë se ku gabuam dhe çfarë mësimi nxorëm për të vazhduar tutje si shtet që nga rrënojat e një sistemi socialist, ndëruam një rend shumë partiak.

Pavarësisht segmentimit të ideve, koncepteve dhe ideologjive partiake, si shoqëri dështuam të ndërtojmë një kauzë të përbashkët për tema të rëndësishme që kanë të bëjnë me të ardhmen e Kosovës. Maska e sistemit demokratik më tepër shërbeu si mbulesë për klientelizimin partiak që i ka prekur të gjitha partitë, pa dallim. Interesi për çështje nacionale është reduktuar në interesa për pushtet.

E, interesi për pushtet portretizohet me liderët që ekspozohen si mall për të joshur “blerësit” (lexo: votuesit). Përtej akuzave dhe kundërkuzave të ndryshme ku pesha e fajit adresohet tek tjetri, ndërsa meritat tentohet të pronësohen, në mes qëndron e vërteta se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës janë zhdukur edhe kauzat politike që do të arsyetonin ekzistonin e partive.  Prandaj, në koncept thuajse të gjitha duken të njëjta në përmbajtje – dallojnë vetëm për nga lideri. Dhe, nuk ka si të jetë ndryshe në një shoqëri ku politikanët gravitojnë sezonalisht nga njëra parti në tjetrën, në emër të reformave! E, në fakt angazhimi i tyre reduktohet në qëllimin e vetëm- me çdo kusht të kenë pushtet.

Jo rastësisht sot në Kosovë ka shumë zhurmë dhe pak mendime lidhur me atë që na pret, veçanërisht përballë një politike agresive të Serbisë dhe një trysnie ndërkombëtare që sa më parë palët të mbledhin mendtë dhe të diskutojnë për një marrëveshje eventuale e cila duket më e largët se kurrë. Kjo më shumë për shkak të llafazanisë politike dhe mungesës së kauzave që një shtet do ta forconin në aspektin ekonomik, do ta bënin të banueshëm për brezat e rinj, një shtet që do të mësonte nga gabimet e së kaluarës dhe do të vihej në binarët e duhur nga duhet të ecim kolektivisht.

Por, për të ndodhur kjo paraprakisht do të duhej të ekzistonin interesa kombëtare mbipartiake që secili pushtetar do të duhej t’ia dorëzonte njëri – tjetrit. Vija të kuqe mbi të cilat nuk do ta vendoste këmbën asnjëri. Vetëm atëherë përballë Serbisë do të flisnim njëzëri, pa brengën se kush do ta përfaqësonte Kosovën në tavolinën e bisedimeve.

Derisa kjo mos të ndodh, tjetër kush do t’i preje teshat tona! Ne vetëm do t’i veshim dhe do t’i shesim si arritje, edhe në rastet kur do të dukemi si klounë!

*Qëndrimet e autorit nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e redaksisë./Shqip.com

/Shqip.com