Për të strehuar afganët, SHBA-të bisedime sekrete me Kosovën dhe Shqipërinë

Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, ka zhvilluar bisedime sekrete me më shumë vende, sesa ishin bërë publike, sipas deklaratave të katër zyrtarëve amerikanë për agjencinë e lajmeve Reuters.
Kjo me qëllim strehimin e përkohshëm të afganëve që kanë punuar me forcat amerikane në Afganistan.
Sipas Reuters, edhe nga Kosova dhe Shqipëria, administrata amerikane ka kërkuar që të strehojë afganët e lidhur me SHBA-në, derisa të përfundojë procesi i miratimit të vizave të tyre amerikane.
Këto burime i kanë thënë agjencisë Reuters se Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Kosovës favore ekonomike dhe politike për marrjen e disa mijëra afganëve. Por, diplomatët amerikanë kanë thënë se në Washington ka shqetësime për aftësinë e Kosovës që të strehojë afganët.
Ofensiva e talibanëve filloi në muajin maj, menjëherë pasi forcat e huaja, përfshirë ato të Shteteve të Bashkuara njoftuan se kanë filluar tërheqjen nga Afganistani, pas rreth 20 vjetësh të operacioneve ushtarake atje.
Shumë afganë që kanë punuar me forcat e huaja kanë frikë nga hakmarrja e militantëve talibanë për shkak të punës së tyre.
Mijëra afganë që do të jenë pjesë e këtij programi duhet të barten në një shtet të tretë, dhe të presin për 12 deri në 14 muaj derisa të analizohet gjithë aplikacioni.