Lajme

Për të 6 herë dështon konstituimi i Komisionit Hetimor për rezervat shtetërore

Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Për të gjashtën herë ka dështuar të konstituohet Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore. Kjo pasi deputetët e pozitës përsëri nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen e këtij komisioni.

Siç po e shihni prapë mungojnë deputetët e pozitës. Nuk kemi ndonjë sqarim pse ata nuk po vijnë, së paku zyrtarisht me shkrim. Ata nuk po vinë vetëm në këtë komision, sepse ky komision është i vetmi që po merret me hetime për keqpërdorim me rezervat shtetërore. Ne i kemi dërguar një letër Zyrës ligjore të Kuvendit për një interpretim dhe kemi marrë një opinion pa opinion. Opinioni e shton konfuzitetin  dhe nuk sqaron asgjë, vetëm se janë përmendur detyrimet e deputetëve të cilët janë të detyruar të marrin pjesë në komisione. Dyshimet për keqpërdorim, sidomos për grurin dhe vajin janë të bazuara, sepse kemi shumë fakte që do t’i bëjmë publike javën e ardhshme. Mungesa e kolegëve nga Lëvizja Vetëvendosje po e pamundëson funksionimin e këtij komisioni. Në mbledhjen e ardhme do të vendosim nëse do ta bartim këtë çështje në Kuvend ose do të vazhdojmë të tentojmë konstituimin e tij”, tha kryetari i komisionit, Rashit Qalaj.

Kritika pati edhe deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.

Lidhur me opinioni ligjor, mua po më shqetëson fakti që kam vërejtur mungesë guximi nga një departament ligjor, që nuk i përket një partie ose tjetër. Më vije shumë keq që disa djem e vajza me ardhur në një pikë ku frikësohen me na dhënë një opinion për pyetjet që i kemi parashtruar. Propozimi im është që ky komision ta ftoj ministren Rozeta Hajdari për një seancë dëgjimore, që kjo të na shërbejë ne që të shohim se çfarë të përfshijmë në planin e punës”, shtoi ajo.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka vendosur në secilën prej ulëseve të deputetëve të mazhorancës që munguan në mbledhje, nga një letër ku ka shënuar pagat që secili prej tyre merr nga Kuvendi.

Po shihet qartë që ata kanë vendosur të mos vijnë në këtë komision dhe të pengojnë funksionimin e tij. Unë kam vendosur sot në mënyrë simbolike të gjithë deputetëve që nuk janë prezent me i tregu se sa para marrin dhe sa kanë marrë deri sot, dhe i bojkotojnë mbledhjet”, shtoi ai.

/Shqip.com