Lajme

Për shkak të vendimit të KGJK-së, anulohet seanca ndaj Pal Lekajt për 53 milionë euro

Pas vendimit të Këshillit Gjyqësorë të Kosovës që të reduktohet puna dhe të vazhdohet vetëm me shërbime esenciale sot është anuluar seanca ndaj Pal Lekaj për rastin e 53 milionëve euro.

Ish-ministrit i Infrastrukturës Pal Lekaj dhe tre të tjerët Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim  Tahiri, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas, kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Violeta Namani, seanca e sotme është anuluar deri në një vendim tjetër të KGjK-së.

“Njoftohen palët në procedurë se duke iu referuar vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës të datës 23 nëntor 2022, anulohet seanca në këtë çështje penale deri në një vendim tjetër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës”, tha ajo.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 4 maj të këtij viti, Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pa fajshëm për veprën penale që u vihet barre.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2021, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit, raporton Betimi për Drejtësi.

Në rastin e njohur si “53 milionët”, Lekaj akuzohet se ka fshehur raportin e kompanisë “Hill, e që kishte arsyetuar se borxhi prej 53 milionë eurosh ishte joreal dhe se Qeveria do të duhej të paguante 39 milionë euro më pak sesa i kërkoheshin.

Theksojmë se Qeveria e Kosovës kishte themeluar komitet ndërministror për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

Anëtarët e këtij komiteti nuk ishin në dijeni të këtij raporti e asokohe Ministria e Infrastrukturës pati reaguar kundër raportimit duke e mohuar ekzistencën e raportit.

Ky raport nuk kishte shkuar zyrtarisht në Qeveri, por ishte ndalur në Ministrinë e Infrastrukturës e në mungesë të tij ishte aprovuar pagesa prej 53 milionë eurosh.

/Shqip.com