Lajme Botë

Për shkak të grevës, bllokohet transporti publik në Gjermani

Sot gjatë të hënës, rrjeti i transportit në Gjermani është pothuajse plotësisht i bllokuar pasi që dy sindikatat në vend janë në grevë.

Personeli i aeroporteve, porteve, hekurudhave, autobusëve dhe metrove doli pak pas mesnatës për një ndalesë 24-orëshe.

Sindikatat po kërkojnë paga më të larta për shkak se aktualet i cilësojnë si të papërballueshme për koston e jetës atje.

“Verdi” ka rreth 2.5 milion punonjës anembanë sektorit publik duke përfshirë transportin publik dhe aeroportet.

“EVG” ka rreth 230,000 punonjës në Deutsche Bahn – operatori kombëtar hekurudhor i Gjermanisë dhe kompanitë e tjera të autobusëve, raporton BBC.

Dy sindikatat shpresojnë se grvea do të rrisë presionin mbi punëdhënësit para se të negociohet për pagat sërish.

Frank Werneke, shefi i Verdit e përshkroi rritjen e pagave si “një çështje mbijetese për mijëra punonjës”.

Verdi do që të sigurojë një rritje page prej 10.5% për personelin, ndërsa, EVG, do një rritje prej 12%.

Operatori kombëtar hekurudhor i Gjermanisë, Deutsche Bahn, i dënoi planet dhe i përshkroi ato si “krejtësisht të tepruara, të pabaza dhe të panevojshme”.

Në aeroportin e Mynihut të dielën, fluturime të shumta u ndërprenë.

Shoqata gjermane e aeroporteve tha se rreth 380,000 udhëtarë ajrorë do të preken nga greva por shtoi se ajo ishte “përtej çdo mase të imagjinueshme dhe të justifikueshme”.

Disa përfaqësues punëdhënës paralajmërojnë se sindikatat po bëjnë kërkesa të paarsyeshme që rrezikojnë të tjetërsojnë publikun.

Megjithatë, disa sindikata ja kanë dalë të fitojnë rritjet e pagave, duke përfshirë punonjësit e postës që fituan një rritje page prej 11.5% në fillim të marsit.

/Shqip.com