Kulturë Kino

Në përvjetorin e vdekjes së Bekim Fehmiut, ‘Mbledhësit e Puplave’ do të shfaqet në shtatë qendra të Kosovës

Për nder të figurës së Bekim Fehmiut, ndër artistët më të mëdhenj shqiptar dhe të sukseshëm në botën e filmit edhe në botë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të organizojë bashkëbisedën “Kulti i punës në jetën dhe veprën e Bekim Fehmiut”.

Siç njofton MKRS, bashkëbisedimi do të zhvillohet me Fahri Musliun, Fadil Hysajn dhe Milazim Salihun,

“Si institucione dhe si shoqëri duhet të gjejmë një mënyrë që ta bëjmë të qasshme figurën e tij, përmes njohjes më të thellë të karakterit të tij si artist dhe si njeri, duke nxjerrë në pah atë pjesë e cila do të mund të konsiderohej vlerë trashëgimore dhe model frymëzimi për brezin e tanishëm dhe të ardhshëm të artistëve”, thuhet në njoftimin e MKRS.

Grupi punues për hartimin e planit protokollar shtetëror për nderimin, mbrojtjen, dokumentimin dhe promovimin e veprimtarisë së aktorit kosovar me famë botërore Bekim Fehmiut, “adn-në kreative”, të artistit e ka bazuar në formulën “Punë të madhe për rezultate të vogla”, e që sipas tyre përvetësimi i një modeli të tillë kreativ do të ishte bazë frymëzuese me vlerë për ata që synojnë majat e suksesit duke integruar si qasje punën këmbëngulëse.

Filmi ‘Mbledhësit e Puplave’ do të shfaqet në 7 qendrat kryesore të Kosovës:

15.06.2022 Prizren

15.06.2022 Mitrovicë

15.06.2022 Pejë

15.06.2022 Gjakovë

15.06.2022 Ferizaj

16.06.2022 Gjilan

20.06.2022 Prishtinë