Lajme

“Për më pak se tre muaj, mediet ruse publikuan 500 lajme që kishin të bëjnë me Kosovën”

Mediet ruse

Për më pak se tre muaj, mediet ruse kanë publikuar 500 lajme që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë kishin të bëjnë me Kosovën, njofton Shqip.com.

Këto janë bërë të ditura në raportin “Observeri i Kosovës – Lufta Diplomatike Ruse dhe Dezinformimi medial 1 qershor – 15 gusht 2021”, i cili u prezantua nga Instituti për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED).

Drejtori ekzekutiv i këtij institucioni, Lulzim Peci, gjatë prezantimit të të gjeturave tha se Rusia karshi Serbisë po krijon narrativa që strukturojnë luften diplomatike e që janë të shoqëruara me dezinformata të botuara nga mediat e përzgjedhura.

Ai ka shtuar që reagimet e Kosovës nuk ishin të duhurat ndaj narrativës ruse.

“Institucionet e Kosovës kanë kapacitete të ndara, mirëpo nuk ekziston desku që të merret në baza ditore me Rusinë. Reagimet e vendit kanë qenë ad-hoc. Institucionet nuk kanë krijuar narrativ ndaj Rusisë”, tha ai.

Raporti thotë se mediat e zgjedhura që origjinën e kanë në Rusi e që janë monitoruar brenda kësaj periudhe janë Russia Today, Sputnik International, Sputnik Serbia, Meduza, Russia Insider, TASS, The Moscoë Times, Neësfront, Unz, The Duran dhe Pravda Report.

“Monitorimi i të dhënave tregon se gjatë kësaj periudhe këto botime mediale me origjinë në Rusi i kanë publikuar 500 lajme që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë kishin të bënin me Kosovën. Sputnik në serbisht i botoi 457 lajme, Sputnik International 16 lajme, Russia Today 7 lajme, Russia Insider 3 lajme, Meduza asnjë lajm, TASS 10 lajme, The Moscoë Times asnjë, Pravda Report asnjë, NeësFront 1 lajm, UNZ-i 4 lajme dhe Duran 2 lajme”, thuhet në raport.

Sipas KIPRED-it, prej 500 lajmeve të publikuara, 96 prej tyre kishin përmbajtje me dezinformata, ku numri më i madh i tyre vije nga ‘Sputnik Serbia’.

“Një vështrim që e bëri KIPRED-i, të lajmeve të botuara nga këto media, tregon se nga 500 lajmet që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë kishin të bënin me Kosovën, 96 lajme apo 19.2 për qind prej tyre kishin përmbajtje me dezinformata. Numri më i madh i dezinformatave është botuar nga Sputnik Serbia apo 71 lajme, pasuar nga TASS me 9 lajme, Russia Today (RT) me 4 lajme, UNZ me 4 lajme, Sputnik International me 3 lajme, Russian Insider me 2 lajme, The Duran me 2 lajme dhe NeësFront me 1 lajm”, thekson KIPRED në raport.

Gjithashtu, në raport thuhet se përqendrimi kryesor i përmbajtjeve të lajmeve të botuara ka pasur të bëjë me rrënimin e themeleve të shtetësisë së Kosovës por edhe ndryshimi i narrativave të luftës dhe të krimeve të luftës në ish-jugosllavi. /Shqip.com