Lajme

Për herë të tretë zgjatet afati që Bahtjari t’i dorëzojë dokumentet për kërkesë për ndihmë juridike nga DhSK

Ismet Bahtjari
Ismet Bahtjari

Për herë të tretë, gjyqtari i procedurës paraprake, Nicola Gouillou ka miratuar kërkesën e mbrojtjes së Ismet Bahtjarit për zgjatje të afatit për dorëzimin e të gjitha dokumentacioneve lidhur me kërkesën për Ndihmë Juridike të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë.

Vendimi është marrë me 30 prill 2024 i cili po ashtu urdhëron mbrojtjen që të plotësojë dhe dorëzojë kërkesën për ndihmë juridike tek Administratorja e po ashtu ta informojë gjyqtarin deri më 3 maj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Për arsyet e lartpërmendura, gjyqtari i procedurës paraprake: a) PRANON Kërkesën; b) UDHËRON Mbrojtjen të plotësojë dhe dorëzojë kërkesën për kërkimin e ndihmës juridike pranë Sekretarisë, si dhe të informojë për këtë gjyqtarin e procedurës paraprake, deri të premten, 3 maj 2024; dhe c) UDHËZON Mbrojtjen të dorëzojë versionet e redaktuara publike të dosjeve F00255, F00256 dhe F00269, deri të premten, 3 maj 2024”, thuhet në vendim.

Sipas vendimit, mbrojtja ka parashtruar se të gjitha dokumentet relevante janë ofruar përveç një dokumenti për të cilin ka kërkuar zgjatje të afatit për paraqitjen e tij.

Më pas thuhet se është konstatuar se kërkesa është dorëzuar brenda afatit të përcaktuar. Gjyqtari i procedurës paraprake ka vërejtur se mbrojtja e Bahtjarit ka bërë progres në përgatitjen e kërkesën

“Rrjedhimisht, gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se është treguar arsye e mirë, duke garantuar zgjatjen e kërkuar të afatit”, thuhet në vendim.

Ndryshe, më 8 shkurt, gjyqtari i procedurës paraprake Guillou ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për bashkimin e aktakuzave të konfirmuara në çështjen gjyqësore ndaj Ismet Bahtjarit dhe Sabit Januzit me atë të Haxhi Shalës.

Në vendimin për bashkimin e aktakuzave, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se dy aktakuzat e konfirmuara në rastin 10 dhe 11 i ngarkojnë tre të akuzuarit për vepra të njëjta penale duke specifikuar që kanë vepruar si grup. Po ashtu, në vendim thuhet se vërehet që aktakuzat e konfirmuara në këto dy raste lindin nga të njëjtat pretendime faktike.

Në bazë të kësaj, gjyqtari ka vendosur që ZPS-së t’i jep leje për të ndryshuar aktakuzën e konfirmuar në rastin 10 duke iu referuar amendamentit të parë, ndërsa amendamenti i dytë u refuzua.

Gjithashtu, gjyqtari Guillou udhëzoi ZPS-në që të paraqesë një kërkesë për ndryshimin e aktakuzës së konfirmuar në rastin 10 sipas amendamentit të dytë, por në përputhje me dispozitat e Rregullores 86.

Pasi u miratua bashkimi i dy aktakuzave, Guillou vendosi se çështja e përbashkët do të vazhdojë me numrin KSC-BC-2023-10, i cili do të riemërohet në atë mënyrë që të përfshihen të tre të akuzuarit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte dorëzuar me 12 janar aktakuzën e përbashkët për çështjen gjyqësore të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtjarit dhe atë të Haxhi Shalës.

Në seancën e parë,  para gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, Bahtjari dhe Januzi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen barrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

Ata akuzohen për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të kërcënimit të rëndë, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 31, 33, 35 dhe 401 (1) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit.

Po ashtu, për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 33, 35, dhe 401 (2) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit. Po ashtu, për përpjekje për frikësim gjatë procedurës penale, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 31, 33, 35 dhe 387 të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16 (3) të Ligjit.

Më 6 tetor, në një njoftim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është thënë se Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi janë arrestuar dhe transferuar në Hagë nën dyshimin se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

Sipas aktakuzës, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, përmes kërcënimit të rëndë dhe veprimit të përbashkët të një grupi personash në të cilin të dy morën pjesë, tentuan të pengonin persona zyrtarë, si gjykatës, prokurorë, zyrtarë të gjykatës, zyrtarë të prokurorisë apo persona të autorizuar nga gjykata ose prokuroria, në kryerjen e detyrave zyrtare.

Kurse, në aktakuzën e 12 dhjetorit 2023, Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West akuzon Shalën për frikësim të dëshmitarëve,  tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare individualisht dhe me pjesëmarrje në grup.

/Shqip.com