Lajme

Për dy muaj, mbi 100 mijë kosovarë aplikuan për vizë pune në Gjermani

Flamuri i Kosovës dhe ai i Gjermanisë

Mbi 100 mijë kosovarë kanë aplikuar për vizë pune në dy muajt e fundit në Ambasadën e Gjermanisë.

Nga kjo ambasadë, deklarojnë se kushti për t’u pajisur me vizë pune për këtë shtet është miratimi i Agjencisë Federale të Punës.

“Për procedurën e shortit në dhjetor të vitit 2021 ambasada i ka pranuar 56,639 aplikime dhe në janar të këtij viti gjithsej 48,962 aplikime”.

Ndërsa, theksojnë se pesë mijë viza pune miratohen në vit për kosovarët.

“Brenda një viti kalendarik mund të lëshohen maksimalisht 25,000 miratime për aplikacione të tilla, 5,500 në vit nga të cilat për aplikues nga Kosova. Ky numër korrespondon deri diku me numrin e vizave të kësaj kategorie të lëshuara para pandemisë”, kanë thënë nga kjo ambasadë për Klan Kosova.

Ilustrim

Për shkak të kërkesës të madhe për termine për viza me qëllim fillimin e punësimit sipas Rregullores së Ballkanit Perëndimor, që nga dhjetori i vitit 2021 këto termine jepen çdo muaj nëpërmjet një procedure të shortit.

“Në vitet e kaluara ambasada i ka rritur dukshëm kapacitetet e përpunimit të kërkesave për viza, ashtu që zyra e vizave tani është një nga zyrat më të mëdha gjermane në mbarë botën. Mirëpo kërkesa edhe më tej i tejkalon kapacitetet tona dhe koha e pritjes fatkeqësisht nuk mund të mënjanohet”, thuhet në përgjigjet e ambasadës./Shqip.com