Lajme

Për 4 vjet u shqiptuan 8 dënime me burgim të përjetshëm, asnjëri i plotfuqishëm

Të premten e javës së kaluar, Gjykata Themelore në Ferizaj, shqiptoi dënim të përjetshëm për Dardan Krivaqen, për vrasjen e Marigona Osmanit.

Këtë vendim kjo gjykatë e mori pas nëntë seancave të mbajtura.

Megjithatë, gjykata e shkallës së dytë, rastet e tilla mund t’i kthej në rigjykim.

Njohësi i çështjeve juridike, Anton Nrecaj, sqaron procedurat pasuese pas dënimit me burgim të përjetshëm, kur pala e pandehur është e pakënaqur me aktgjykimin.

“Mund të ketë ndoshta ndonjë lëshim procedural, ose mos administrim të mirë të provave ose mungesë të administrimit të provave, qoftë argument, qoftë kundër-argument dhe shkalla e dytë mund të ndodh që të njëjtin aktgjykim të shkallës së parë ta kthejë në rivendosje dhe ta udhëzojë që të ndryshojë, qoftë masën e sanksionit qoftë ndonjë aspekt procedural të trajtimit të provave”, thotë ai, raporton TëVë1.

E ky nuk është rasti i vetëm që Gjykatat në vendin tonë kanë shqiptuar dënim me burgim për përjetshëm.

Organizatat që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë, thonë se përgjatë katër vjetëve të fundit janë shqiptuar tetë aktgjykime të tilla.

Megjithatë sipas hulumtuesit të lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gzim Shala, këto aktgjykime asnjëherë nuk morën vulën përfundimtare nga gjykatat.

“Deri më tani bazuar në të dhënat e IKD-së nuk kemi asnjë aktgjykim të plotfuqishëm përmes të cilit një i pandehur është dënuar me burgim të përjetshëm… Në një prej këtyre rasteve d.m.th në Gjykatë Supreme është nxjerrë aktgjykim lirues dhe si rrjedhojë ka rënë edhe dënimi i shqiptuar që paraprakisht kishte qenë dënim me burgim të përjetshëm. Ndërsa në rastet tjera, instancat gjyqësore e kanë ulur dënimin nga gjykatat e shkallës së pare”, thotë ai.

Ndërkohë në kodin penal të Republikës së Kosovës, dënimi maksimal që mund të marrë një gjykatë ndaj kryerësit të veprës është dënimi me “burgim të përjetshëm”.

/Shqip.com