Lajme

Për 22 vjet, Policia e Kosovës vazhdon të punojë pa sigurim shëndetësor

Policia e Kosovës

Që nga themelimi i Policisë së Kosovës, janë 21 policë të vrarë gjatë detyrës zyrtare dhe mbi 400 policë të lënduar.

Po ashtu nuk janë të rralla rastet kur në aksione u rrezikohet jeta edhe e atyre që janë të thirrur për të ofruar rend e siguri.

Madje, këto situate janë shpeshtuar ditëve të fundit, pas incidenteve dhe sulmeve kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, thotë se është për keqardhje që një kategori siç janë Policia e Kosovës mos të kenë sigurim shëndetësor.

“Realisht kjo nuk është një lajm i mirë. Institucionet e Kosovës që nga shpallja e Pavarësisë kanë pasur tentativa për ta rregulluar sigurimin shëndetësor për Policinë por edhe për kategoritë e tjera, unë e kuptoj se Policia është më e ndjeshme.Unë besoj se institucionet duhet sa më shpejtë që ta rregullojnë këtë çështje”, ka thënë Beqaj.

Hajdar Beqa

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha thotë se pos mungesës së sigurimeve shëndetësore, pjesëtarët e PK-së kanë nevojë edhe për uniforma e pajisje tjera përcjellëse.

“Qeveria e Kosovës nuk e ka aprovuar as Ligjin e Pagave në këtë situatë të rëndë për vendin. Qeveria e Kosovës nuk ka bërë as sigurimin shëndetësor për Policinë, pra siç duket iu ka ardhur fundi me u arsyetuar se çfarë është bërë këto 20 vite. Tani kjo është e nevojshme, është emergjente dhe duhet të ndodhë”, është shprehur Berisha.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha

Një muaj më parë, Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri ka nisur një letër në drejtim të Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Në letrën e dërguar, Zeqiri ka kërkuar nga MBP-ja shumën prej 5 milionë eurove për sigurim shëndetësor të Policisë të Kosovës.

Letra e Sindikatës

Ata thanë se policët janë në rrezik për jetën për shkak të përdorimit të mjete të rrezikshme.

“Policia e Kosovës është policia e vetme në rajon dhe më gjerë që nuk ka sigurim shëndetësor. Zyrtarët policor kanë autorizim të përdorimit të pajisjeve të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e tyre”, thuhet në letrën e dërguar në drejtim të MPB-së.

Po ashtu në letrën e dërguar thuhet se gjatë detyrës zyrtare, 21 zyrtarë policorë kanë humbur jetën, 426 zyrtarë janë lënduar, 237 zyrtarë janë sëmurë dhe 528 zyrtarë janë identifikuar me sëmundje të veçanta shëndetësore./Shqip.com