Lajme

Për 11 muaj, ish-ministri Latifi me kabinet, shpenzuan rreth 20 mijë euro për 7 vizita zyrtare

Ish- Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Për 11 muaj sa qëndroi në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, Rifat Latifi zhvilloi shtatë vizita zyrtare jashtë vendit.

Vizitat i realizoi në 5 shtete të ndryshme si: Austria, Turqia, Greqia, Norvegjia dhe Shqipëria.

Të gjitha këto me qëllim të vendosjes së bashkëpunimit dhe marrjen e praktikave më të mira shëndetësore.

Por, qëllimet nuk u quan deri në fund, pasi pa mbushur as 1 vit nga marrja e detyrës, Latifi dha dorëheqje.

Nga dokumentet e siguruara nga Shqip.com, rezulton se vetëm për Latifin, vizitat i kushtuan buxhetit të shtetit 2 mijë e 461 euro për akomodim në hotel dhe para xhepi, ndërsa 2 mijë e 988 euro për bileta udhëtimi.

Por, Latifi nuk shkoi vetëm në këto vizita.

I shoqëruar ishte dhe nga anëtarë tjerë të kabinetit.

Kjo ka bërë që shuma e mjeteve të shpenzuara për qëndrim në hotel dhe para xhepi, të kalonin në mbi 11 mijë euro, ndërsa për bileta udhëtimi mbi 7 mijë euro.

“Nga marrja mandatit të ministrit Latifi, shpenzimet e përgjithshëm të Kabinetit të Ministrit, duke përfshi ministrin e Shëndetësisë, zëvendësministrat, këshilltarët politik dhe vozitësit, në total janë 11,263.37”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Shqip.com.

Dy javë para dorëheqjes ish-ministri qëndroi disa ditë në Greqi

Latifi dha dorëheqje nga pozita e ministrit, pak javë pas zhvillimit të vizitës në Greqi, më 22 shtator.

Derisa, dorëheqja e tij iu ofrua kryeministrit, Albin Kurti, më 6 tetor.

“Gjatë vizitës në spitalet e lartpërmendura, ministri Latifi tha se shëndetësisë në Kosovë i duhet ndihma e partnerëve ndërkombëtarë për t’u zhvilluar, si ajo e shtetit të Greqisë dhe të tjerëve që kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të mbështetur në çdo aspekt”, kështu kishte shkruar Latifi në llogarinë në Facebook të Ministrisë së Shëndetësisë.

Lexo edhe:
Rifat Latifi flet pas dorëheqjes: Vendimi më i vështirë në jetën time

Megjithatë, ai dha dorëheqje duke publikuar një listë të mangësive në sistemin shëndetësor, përfshirë mungesën e informimit, infrastrukturës spitalore, humbjen e besimit të donatorëve, etj.

/Shqip.com