Lajme Ballkan

Pendarovski: Sofja po kërkon atë që as okupatorët nuk do ta bënin

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, e ka cilësuar si “skandaloze” kërkesën e Sofjes për pjesëmarrje në procesin e ndryshimeve të kushtetutës së Maqedonisë së Veriut.

Ministri bullgar i Punëve të Jashtme, Nikolaj Milkov, ka thënë të mërkurën se Bullgaria dëshiron të përfshihet dhe të konsultohet në procedurën për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

Ndryshimet kushtetuese janë obligim që del nga marrëveshja mes Shkupit dhe Sofjes bazuar në atë që njihet si “propozim francez” për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe çështjet historike, por edhe për përfshirjen e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës.

“Kërkesa nga Sofja është skandaloze. As pushtuesit nuk bëjnë kërkesa të tilla ndaj vendeve, territoreve apo shteteve që i pushtojnë. Në shekullin XXI është absurde dhe joshembullore të kërkosh të ndërhysh në proceset e brendshme politike dhe kushtetuese-ligjore të çdo vendi. Dhe mendoj se në këtë drejtim përgjigja jonë e djeshme përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme ka qenë në vend”, deklaroi presidenti Pendarovski.

Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë është kusht që Maqedonia e Veriut të fillojë hapjen e kapitujve në negociatat me Bashkimin Evropian.

Ministria e Drejtësisë ka kërkuar nga të gjitha partitë politike parlamentare që të caktojnë nga një anëtar që do të jenë pjesë e grupit të punës, i cili duhet të hartojë amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës.

Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së në vitin 2020 kishte vendosur veto ndaj nisjes së bisedimeve mes Brukselit dhe Shkupit, ndërsa këtë mund ta përsërisë edhe në procesin e mëtejmë të BE-së, nëse Maqedonia e Veriut nuk i përmbushë detyrimet nga marrëveshja me Bullgarinë që ishte arritur në qershor të vitit 2022./REL

/Shqip.com