Lajme Botë

Pelosi injoron paralajmërimet e Kinës për vizitën e saj në Tajvan

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Nancy Pelosi

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, shprehu solidaritetin e Shteteve të Bashkuara me Tajvanin, teksa ajo arriti në Tajpei.

Vizita e Pelosit në këtë ishull ka përkeqësuar tensionet me Pekinin, që pretendon se ky ishull është pjesë e territorit të Kinës.

Pelosi u mirëprit më 2 gusht në aeroportin e Tajpeit nga ministri i Jashtëm i Tajvanit, Joseph Wu, dhe Sandra Oudkirk, përfaqësuesja e lartë e SHBA-së në Tajvan.

“Vizita në Tajvan e delegacionit të Kongresit tonë nderon zotimin e palëkundur të Amerikës në mbështetjen e demokracisë së gjallë të Tajvanit”, tha Pelosi me të mbërritur në Tajvan.

“Solidariteti i Amerikës me 23 milionë banorët e Tajvanit është më i rëndësishëm se kurrë më parë, teksa bota përballet me zgjedhjen midis autokracisë dhe demokracisë”, shtoi ajo.

Kina menjëherë dënoi vizitën e Pelosit, duke thënë se seriozisht rrezikon paqen dhe stabilitetin në Ngushticën e Tajvanit.

Ministria e Jashtme kineze përmes një deklarate për media tha se vizita e zyrtares amerikane “do të ketë ndikim të rëndë në raportet Kinë-SHBA dhe cenon seriozisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës”.

“Kina e kundërshton me vendosmëri dhe e dënon ashpër këtë vizitë dhe ka bërë një demarsh serioz dhe një protestë të fortë ndaj Shteteve të Bashkuara”, tha Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës në një deklaratë menjëherë pas uljes së avionit. 

Më 2 gusht, teksa Pelosi arriti në Tajvan, autoritetet e këtij ishulli thanë se mbi 20 avionë luftarakë kinezë hyn në zonën e mbrojtjes ajrore.

Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit tha se “21 avionë hyn në zonën e mbrojtjes ajrore më 2 gusht”.

Gjatë ditës, media shtetërore kineze tha se avionët kinezë po fluturonin mbi Ngushticën e Tajvanit.

Ushtria kineze është vënë në gatishmëri të lartë dhe do të nisë “operacione të shënjestruara ushtarake” në përgjigje të vizitës në Tajvan së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi, tha mbrëmjen e 2 gushtit Ministria kineze e Mbrojtjes.

Në një njoftim të ndarë, Komanda Lindore e Ushtrisë Popullore të Kinës, tha se do të mbajë operacione të përbashkëta ushtarake afër Tajvanit të martën mbrëma.

Stërvitjet ushtarake do të përfshijnë stërvitje ajrore dhe detare në veri dhe juglindje të Tajvanit.

Ministria kineze e Mbrojtjes nuk dha detaje se çfarë do të përfshijnë operacionet e shënjestruara ushtarake, ose nëse ishin të ndara nga stërvitjet e paralajmëruara nga Komanda Lindore.

Vizita e kryedemokrates amerikane në Tajvan ka qenë arsye e rritjes së tensioneve mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ditëve të fundit.

Tajvani është një ishull i vetëqeverisur, por i pretenduar nga Kina, e cila e sheh atë si një provincë të shkëputur. Pekini ka paralajmëruar për “pasoja të rënda” nëse Pelosi e viziton atë.

Ndërsa SHBA-ja e ruan atë që e quan një “marrëdhënie të fortë, jozyrtare” me Tajvanin, ajo ka marrëdhënie diplomatike zyrtare me Kinën dhe jo me Tajvanin. Mirëpo, për SHBA-në, Tajvani është nga aleatët kryesor në Azi./Shqip.com