Sport Shqiptar

Peja fituese e “klasikes” ndaj Prishtinës

Prishtina është mposhtur nga Peja

Peja ka “rrëmbyer” pikët e plota në klasiken e basketbollit kosovar, pasi ka mposhtur Prishtinën me rezultat 83-90.

Ani pse bardhëkaltërit ishin vendas, ata nuk mundën që të dalin fitues ndaj Pejës që këtë sezonë po duket e “frikshme”, shkruan Shqip.com.

Skuadra nga kryeqyti e nisi takimin në mënyrën fantasike dhe pas përfundimit të çerekut të parë ishin në avantazh 25-22, por pejanët nuk u dorëzuan dhe arritën që ta përmbysin rezultatin.

Për këtë fitore të “shqiponjave” më meritori ishte Dardan Berisha që shënoi 30 pikë, regjistroi pesë asitime dhe pesë kërcime, ndërsa paraqitje të mirë pati Arian Qallaku që shënoi 19 pikë.

Në anën tjetër, te Prishtina paraqitjë të mirë pati Henrik Sirko që kontribuoi me 14 pikë dhe dhjetë kërcimë.

Për Pejën kjo ishte fitorja e dytë në dy ndeshje, kurse Prishtina ka një humbje dhe një fitore.

Këto dy skuadra ishin takuar edhe në çerekfinalen e Kupës së Kosovës ku edhe aty fituese doli Peja./Shqip.com