Lajme

Peci takon homologun e tij nga Maqedonia, dakordohen për projekte të përbashkëta

Ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe zhvillimit rural, Faton Peci është takuar me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Ljupço Nikolovski.

Përmes një postimi në Facebook, Peci ka thënë se me Nikolovskin u dakorduan që të hartojnë projekte të përbashkëta ndër-kufitare me qëllim të fuqizimit ekonomik.

“Me qëllim të avancimit të mëtutjeshëm të sektoreve që portfoliot tona mbulojnë, u dakorduam që ta thellojmë bashkëpunimin ndër-institucional e ndër-shtetëror duke hartuar projekte të përbashkëta ndër-kufitare me qëllim të fuqizimit ekonomik të bujqve që jetojnë rreth zonës kufitare Kosovë – Maqedoni e Veriut”, shkroi Peci.

Peci tha se në këtë takim u dakorduan edhe për shkëmbim eksperiencash në hartimin e politikave dhe përafrimin e tyre me ato të Bashkimit Evropian.

“Njëherit, ramë dakord për shkëmbim eksperiencash në hartimin e politikave, përafrimin e tyre me ato të BE-së, heqjen e barrierave jo-tarifore, rritjen e kontrollit kufitar me qëllim ruajtjen e sigurisë ushqimore, hartimin e përbashkët të politikave pyjore si dhe krijimin e një grupi teknik-administrativ i cili do t’i bartë më tutje frerët e hartimit dhe implementimit të marrëveshjeve që do vijojnë mes institucioneve tona”.

Tutje, ministri Peci tha se takimet e tilla kultivojnë marrëdhënie miqësore mes shteteve.

/Shqip.com