Lajme

Peci: Përkrahje deri në 100% për perimtarë që kultivojnë në sera përmes subvencioneve

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka deklaruar se do të ketë 100% përkrahje për perimtarët për prime në sera dhe 85% për perimtarët që kultivojnë në fushë të hapur.

Peci këto deklarata i bëri gjatë vizës së pikës grumbulluese “Agro Celina” në Xërxë të Rahovecit.

“Kjo pikë grumbulluese vepron nga viti 2008 dhe njëherit eksporton prodhime të freskëta bujqësore në Gjermani, Suedi, Francë, Belgjikë, Zvicër e njëherit ka të kontraktuar fermerë nga i gjithë territori i Republikës së Kosovës; duke bërë grumbullimin, paketimin dhe eksportin e specit, trangullit, domates dhe rrushit të tryezës”, ka thënë ai.

Ministri i Bujqësisë ka thënë se fermerët ishin të kënaqur me përkrahjen e 100% për perimet në sera dhe 85% për perimet në fushë të hapur, e sipas tij ata e kanë parë edhe pozitive subvencionimin e primit të sigurimit për 75% të vlerës në total.

“Si Ministër i Bujqësisë do të përkushtohem maksimalisht që Programi për Pagesa Direkte dhe Programi për Zhvillim Rural, ta plotësojnë njëri-tjetrin, duke krijuar kështu një zinxhir vlere të qëndrueshëm, duke ndjekur rrugëtimin e produktit nga toka në tryezë, duke luftuar informalitetin dhe duke asistuar në sigurimin e tregjeve për prodhimet bujqësore”, ka thënë Peci.

Ndër të tjera, Ministri Peci, ka deklaruar se përmes kësaj pike grumbulluese, 90% e prodhimeve bujqësore kanë cak tregun e Bashkimit Evropian.

“Për një periudhë të shkurtër kohore do të nënshkruaj Programin për Zhvillim Rural – Grante 2022, në të cilin jemi duke i parë modalitetet e duhura për rritje të mbështetjes”, ka përfunduar Peci./Shqip.com