Lajme

Peci e tregon arsyen e largimit të Doarsa Kicës nga “Guxo”

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

Ministri i Bujqësisë dhe njëherit kryetari i Partisë “Guxo”, Faton Peci, ka thënë se ekziston një arsye e fortë se pse deputetja Kica-Xhelili është larguar nga partia.

Ai ka deklaruar se emri i deputetës në fjalë është përfolur për mundësine e emërimit në poziten e zv/kryeministres, e që për shkak të mungesës së përvojës institucionale u privua nga gara.

“Deputetja ka qenë pjesë e përfoljes për mundësinë që ajo me qenë zv/kryeministre, dhe ka pasu një refuzim prej Guxo-s këtë informacion deputetja në fjalë e ka marrë dikun pas 1 viti, dhe unë e kam parë që ajo ka tentu me gjet një arsyetim për m’u largu.

Emrin e saj e ka përmend edhe dikush prej Guxo-s edhe dikush prej VV-së, arsyeja që mos me qenë ka qenë vec me ia jap rastin me u maturu politikisht. Refuzimi që deputetja në fjalë me qenë zv.kryeministre, idenë e ka pas shumë të shëndoshë, që thjesht mos me sfidu dhe mos me fut në një pozicion me mungesën e përvojes institucionale”, ka thënë Peci.

Sipas tij deputetja Kica-Xhelili ka gëzuar respekt dhe besim nga gjithë anëtarësia e partisë, e sidomos nga vetë ai.

Kujtojmë se para një muaji, deputetja Doarsa Kica-Xhelili kishte vendosur që të largohet nga partia “Guxo” dhe t’i bashkohet LDK-së.

Ky kalim u bë publik përmes një prezantimi në rrjetet sociale nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku./SHQIP.com/

/Shqip.com