Lajme

PDK s’i shkon në takim presidentes Osmani

Partia Demokratike e Kosovës ka refuzuar ftesën e presidentes Vjosa Osmani për takim konsultues rreth draft-Statutit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se takime të tilla nuk prodhojnë asgjë.

”Takimin për të diskutuar, siç thuhet në ftesë: ‘për zhvillimet aktuale, taim konsultativ’ dhe ku mund të flitet edhe për propozimet që lidhen me dialogun nuk kam shkuar jo për arsye të tjera por për faktin që asgjë nuk del dhe as nuk prodhohet gjë nga një takim i tillë. Është kryeministri i Kosovës ai që e ka prerogativën kushtetuese dhe përgjegjësinë ligjore që ta lëvizë përpara për sa i përket procesit të dialogut duke përfshirë edhe Asociacionin; kjo nënkupton pranimin por edhe refuzimin, apo propozimin alternativ. I takon kryeministrit”, tha Krasniqi.

”Pra, takimet që mund t’i mbajmë e që quhen konsultative janë veç takime të analizave. Unë nuk mund të lëshohem në rolin e një analisti për t’u takuar bashkë me presidenten për të dhënë mendime të caktuara të cilat nuk prodhojnë asgjë, sepse prej këtij takimi përtej një kortezie dhe një diskutim itë hapur që mund ta kishim, nuk do të kishte efekt ligjor e as politik, asgjë. Kjo është arsyeja që thjesht nuk kam menduar që duhet të shkojmë. Përtej kësaj PDK në korrik ka marrë vendim që ne jemi të hapur për takime ku diskutohet për zgjedhje të reja”, tha kreu i PDK-së.

/Shqip.com