Lajme

PDK: Qeveria s’ka më kredibilitet, vendi ka nevojë për zgjedhje të parakohshme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka mbajtur një takim të përbashkët në mes të Kryesisë së Partisë dhe Grupit Parlamentar të PDK-së.

Sipas njoftimit, në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, respektivisht krizën politike e cila sipas tyre erdhi si pasojë e veprimeve “të papërgjegjshme dhe të fshehta të Qeverisë së Kosovës”.

“Prishja e raporteve më miqtë ndërkombëtarë, vendosja e sanksioneve ndaj Kosovës, bashkëpunimi me kriminelin Millan Radojçiq dhe Listën Serbe, takimet dhe vendimet e fshehta në dëm të interesit nacional – janë disa prej shkaktarëve të cilat kanë bërë që kjo Qeveri ta humbas tërësisht kredibilitetin e saj”, thuhet në njoftim.

PDK, ka dënuar edhe një herë “provokimin dhe dhunën” e Qeverisë ndaj deputetëve të saj të shkaktuar në seancën e Kuvendit, të enjten më 13 korrik.

Krasniqi, tha e gjithë kjo ndodhi për të tërhequr vëmendjen nga “skandali më i madh politik në vendin tonë në të cilin janë përfshirë ata vet (Qeveria)”.

Tutje, PDK ka kërkuar zbardhjen e të vërtetës “e cila fshihet prapa përgjimeve të cilat dëshmojnë bashkëpunimin e fshehtë të Qeverisë Kurti me Radojçiqin dhe Listën Serbe”. 

“PDK kërkon nga Qeveria e Kosovës që të tregoj se çfarë po ndodhë edhe me situatën në pjesën veriore të Kosovës. Psë lëshoi pe Qeveria dhe pranoi të tërhiqet nga pjesa veriore, pas disa muajve të tensionit dhe detyrimit të aleatëve tanë që t’i vënë sanksione Kosovës? Pse u liruan kriminelët serbë të arrestuar për sulmet ndaj gazetarëve dhe KFOR-it?”.

Ndër të tjera, PDK, ka kërkuar transaprencë dhe llogaridhënie nga Qeveria, për situatën në vend si dhe thotë se zgjidhja e vetme për ta larguar Kosovën nga kriza është mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, “sa më parë”.

“Formimi i një qeverie të re që do të kthejë Kosovën në binarët e rrugës euro-atlantike është jetike për vendin dhe të ardhmen e qytetarëve tanë. Vetëm duke rivendosur e forcuar aleancat ndërkombëtare e forcojmë edhe shtetin tonë”, u tha në njoftim.

/Shqip.com