Lajme

PDK: Qeveria mbylli shkollat, thelloi krizën ekonomike dhe energjetike në Kosovë

Partia Demokratike e Kosovës, përmes një konferencë për media ka thënë se Qeveria e Kosovës, ka mbyllur shkollat duke ju shpallur luftë mësimdhënësve, thelloi krizën energjetike dhe atë ekonomike.

Përmes një konferencë, deputetja e kësaj partie Eliza Hoxha tha se po merren vendime pa tru.

“Albin Kurti, Hekuran Murati dhe Arbërie Nagavci sot i kanë lënë fëmijët e Kosovës pa shkuar në shkolle. Sot ishte dashur të ishte ditë feste në gjithë Kosovën, e sidomos për fëmijët që nisin klasën e parë e që shkëlqimin e syve të tyre sot nuk e panë as prindërit e tyre. Sepse, Albin Kurti që dikur premtonte kthimin e trurit në Kosovë, sot po merr vendime pa tru. Albin Kurti u ka shpallë luftë mësimdhënësve duke i lënë pa paga sepse janë në grevë dhe duke e prekur kështu në themel mirëqenien e tyre edhe ashtu solide e të rënduar”, tha Hoxha.

Hoxha tha se mësimdhënësit sot është dashur t’i kenë pagat edhe ashtu të pamjaftueshme në llogari, për të mbuluar kreditë dhe shpenzimet elementare të mbijetesës, por ata po injorohen totalisht nga Qeveria.

“Mbi 340,000 fëmijë sot janë jashtë bankave shkollore. Mbi 80,00 familje e kanë mirëqenien e rënduar për shkak të ndalesës së pagave të anëtarëve të tyre. Dhe ironia në anën tjetër është që ministrja Nagavci, sot në vend se të ishte me mësimdhënës e nxënës në ndonjë shkollë duke e festuar fillimin e vitit të ri shkollor, sot ajo promovon abetaren e përbashkët me Shqipërinë në një ditë kur shkollat janë të mbyllura”, shtoi ajo.

Hoxha tha se sot Kosova është në terr energjetik dhe edukativ, si rezultat i mendjeve të errësuara të Qeverisë Kurti.

“Sot jemi në terr energjetik. Sot jemi në terr edukativ. Dhe krejt kjo është rezultat i mendjeve të errësuara të kësaj qeverie”, theksoi ajo.

Ndërkaq, Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa tha se Kosova po kalon nëpër një krizë të rëndë ekonomike, për shkak të paftësisë së Qeverisë Kurti.

“Refuzimi i Qeverisë së Kosovës për të ndërmarrë masat e duhura për zbutjen e rritjes së çmimeve, duke i shpërfillur në tërësi kostot e pritura për ekonominë dhe qytetarët, krijoi kushtet për një eskalim të normës së inflacionit, e cila në muajin korrik 2022 ka arritur në 14.2 për qind”, tha Mustafa.

Tutje, Mustafa tha se krizën po e thellojnë edhe reduktimet e energjisë elektrike, të cilat më së shumti po i dëmtojnë bizneset prodhuese.

“Si pasojë e reduktimeve, një pjesë e madhe e bizneseve po detyrohen të sigurojnë rrugë alternative të sigurimit të energjisë elektrike përmes blerjes së gjeneratorëve. Mirëpo, mes tjerash, kjo mund të përkeqësojë edhe më shumë situatën me inflacionin pasi që një pjesë e kostos shtesë sigurisht se do të transmetohet në çmimet e mallrave dhe shërbimeve që ato prodhojnë”, tha Mustafa.

Mustafa theksoi se Ministri i Financave, Hekuran Murati u paraqit në rolin e shtypësit të grevave përmes ndalesës së pagës për shumë punonjës të sektorit publik, duke ndikuar kështu në rëndimin edhe më të madh të gjendjes./Shqip.com