Lajme

PDK: Qeveria Kurti dhe deputetët e saj sot dëshmuan që janë kundër kërkesave të qytetarëve

Pas dështimit që të votohet Projektligji për tërheqjen e 30 % mjeteve nga Trusti, ka ardhur edhe reagimi nga Partia Demokratike e Kosovës.

Sipas PDK-së, Qeveria Kurti dhe deputetët e saj sot dëshmuan që janë kundër kërkesave të qytetarëve.

“Deputetët e pushtetit aktual, të udhëhequr e dirigjuar nga kryeministri Albin Kurti, sot dëshmuan që nuk janë në Kuvendin e Kosovës për t’i dëgjuar e për t’i përmbushur kërkesat e qytetarëve të Kosovës, të cilët po përballen me krizën e thellë ekonomike dhe me rritjen enorme të çmimeve të produkteve esenciale për jetesë” thuhet në reagimin e PDK-së.

Nga PDK-ja thonë se kërkesat dhe nevojat e qytetarëve sot nuk u dëgjuan e as nuk u mbështeten nga Qeveria Kurti.

“Partia Demokratike e Kosovës, sot pas shumë pengesave e vonesave që pushteti aktual i bëri gjatë rrugës, e solli në Kuvend ligjin që e rregullonte një çështje konkrete, përkatësisht, lejimin e tërheqjes prej 10 % deri 30 % të mjeteve të kursyera nga qytetarët në TRUST-in pensional, e cila si masë, para se të jetë alternativë e PDK-së si opozitë karshi veprimeve të qeverisë, ishte domosdoshmëri, nevojë dhe kërkesë e qytetarëve të Kosovës. Por, kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të Kosovës nuk u dëgjuan dhe nuk u mbështetën nga qeveria Kurti dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet më tutje në reagimin e PDK-së.

Sipas PDK-së, kjo qeveri e cila çdo ditë po dëshmon se është jo kompetente dhe pa vizion, vetëm po e vëzhgon rënien e lirë të ekonomisë së Kosovës dhe përkeqësimin e përditshëm të mirëqenies së familjeve kosovare.

PDK do të vazhdoj të jetë afër qytetarëve për t’i dëgjuar kërkesat dhe nevojat e tyre dhe do të vazhdoj të kërkoj nga kjo qeveri e papërgjegjshme llogari për dështimet e vazhdueshme në të gjitha fushat e qeverisjes thuhet në fund të reagimit./Shqip.com