Ekonomi

PDK propozon masat emergjente për zbutjen e krizës ekonomike

Partia Demokratike e Kosovës ka kritikuar Qeverinë se është duke u treguar e ngathët sa i përket reagimit ndaj ngritjes së çmimeve në vend.

Ky subjekt politik opozitar vlerëson se Qeveria e cila drejtohet nga kryeministri Albin Kurti ka injoruar në vazhdimësi krizat duke përfshirë krizën e energjisë dhe tani edhe krizën e shtrenjtimit të çmimeve.

Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës ka listuar disa veprime të cilat Qeveria duhet t’i ndërmerr me qëllim që të shmanget një krizë më e madhe.

Pret që propozimet e tyre të merren parasysh.

“Të largojë përkohësisht akcizën mbi importin e naftës për tre muaj. Largimin e TVSH-së për mallrat esenciale si mielli, kripa, vaji etj deri me 1 korrik. Largimi i TVSH-së për të gjitha imputet bujqësore deri me 1 tetor. Largimi i TVSH-së për lëndët e para për prodhuesit vendor të mallrave esenciale deri me 1 shtator. Për shkak të rritjes enorme duhet që Qeveria së bashku me Bankën Qendrore t’iu lejohet që të shtyjnë kredinë për tre muaj”, ka thënë Ismaili në një konferencë për media.

Sipas tij, Qeveria duhet të punojë ngushtë me shtetet mike me qëllim që të sigurohet lënda e parë për përpunim për disa produkte ushqimore të cilat po paraqiten si mungesë në treg.

Ismaili ka deklaruar se kriza në Ukrainë ka ndikuar jashtëzakonisht në situatën ekonomike edhe në Kosovë. /Shqip.com