PDK prezanton kandidaten për kryetare të Gjilanit

Leonora Morina Bunjaku është kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës për kryetare të Gjilanit.
Lajmi është kumtuar nga kryetari i këtij subjekti politik, Memli Krasniqi.
Ai e ka cilësuar Morina-Bunjakun si e “dëshmuar për të marrë përgjegjësi.
“Qytetarët e Gjilanit kanë nevojë për ndryshime. Kanë nevojë për një qeverisje me transparencë, me projekte madhore e kreative, për më shumë vende pune, më shumë perspektivë për të rinjtë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
“Dhe, Leonora me ekipin e saj është lista e duhur për këtë. Ajo ka mbështetjen tonë të parezervë, të të rinjve e të rejave për t’i dhënë një frymë të re e prioritet qeverisjes në Gjilan”, përfundoi postimin Krasniqi.
Gjilani qeveriset nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Lutfi Haziri do të jetë kandidat i LDK-së për edhe një mandat tjetër.
Por, gjatë zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të dalë bindshëm e para në Gjilan. /Shqip.com