Lajme

PDK për situatën me COVID-19: Shumë të vdekur e shumë rrëmujë, aspak menaxhim e rregullsi

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, thotë se kriza e shkaktuar nga pandemia COVID-19 në Kosovë po thellohet aq shumë saqë tashmë është shndërruar në tragjedi njerëzore.

Në një konferencë për media, Stavileci ka numëruar vdekjet e raportuara gjatë 12 ditëve të fundit, si pasojë e Coronavirusit, duke thënë se Kosova është në periudhën më të errët të pandemisë, me shumë të vdekur e shumë rrëmujë dhe aspak menaxhim e rregullsi.

“Kriza po thellohet dhe tashmë ajo është shndërruar në tragjedi njerëzore. Vetëm në 12 ditët e fundit kemi pasur 24 mijë e 115 raste të reja infektimi dhe 136 humbje jetësh”, tha Stavileci.

Më tej ai përmendi edhe faktin se nuk ka termine të lira për vaksinim, gjë që e quan jotransparëncë nga ana e Qeverisë.

Stavileci tha se qeveria aktuale ka braktisur frontin kundër pandemisë dhe si rrjedhojë, tani po shihen pasojat fatkeqe në shëndetësi, siguri, ekonomi dhe arsim.

“Vija e parë e frontit kundër pandemisë, mjekët, infermierët dhe i tërë personeli shëndetësor janë të stërngarkuar e të stërlodhur, por ata janë lënë të vetëm e në distancë nga një qeveri e cila arriti ta disenjojë krizën më të madhe shëndetësore dhe kollapsin e krejt sistemit shëndetësor. Dhe, për ironinë më të madhe të fatit të tyre, jo që u ndihmoi, por i ofendoi me nga 2 euro në ditë”, u shpreh Stavileci. /Shqip.com