Lajme

PDK me kritika ndaj presidentes Osmani: Ka dështuar gjatë vitit 2022

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, që është duke u zhvilluar, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha ka drejtuar kritika për punën e presidentes Osmani.

Në fjalën e saj para deputetëve, Hoxha ka thënë se Osmani ka dështuar në punën e saj gjatë vitit 2022.

“Gjatë vitit 2022, Republika e Kosovës nuk ka pasur asnjë njohje të re. Politika e jashtme është një ndër shtyllat kryesore që lidhen me pozitën e presidentes. Asnjë angazhim konsistent, përveç deklarativ…. Ka dështuar plotësisht për të ushtruar këtë rol.

Për më tepër ka dështuar në mbrojtjen e imazhit të Kosovës si shtet i konsoliduar dhe ka abstenuar nga çfarëdo përballje në interes të vendit”, tha Hoxha.

Deputetja e PDK-së, u ndal tek fjalimi i presidentes javën e kaluar në Kuvend, duke thënë se aty u thanë fjalë të pavërteta e cilësime të pabaza.

“Çdo e pavërtetë për Kosovën, mbi Kosovën dhe rrugën e lavdishme të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë me gjithë protagonistët e saj, kurrë nuk do të bëhet qëndrim i shtetit. Pavarësisht se mund të jetë qëndrim i Vjosa Osmanit që sot mban pozitën e presidentes”, shtoi Hoxha.

Pas pyetjeve parlamentare, sot në Kuvend pritet të votohet Strategjia për energjinë, diskutimet për të cilën kanë përfunduar ditën e djeshme ndërsa për votim nuk pati kuorum.

/Shqip.com