Ekonomi

PDK kërkon që në seancën e së enjtes të rritet koeficienti i pagave

Shefi i Grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri

Në seancën e Kuvendit të Kosovës e paraparë për ditën e enjte do të diskutohet Ligji për Ndarjet Buxhetore si dhe do të prezantohet koeficienti i pagave në bazë të propozimit të Qeverisë.

Por, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kërkuar që të rritet koeficienti i pagave dhe të mazhoranca të pajtohet me propozimet e opozitës.

“Besoj që mazhoranca do të kthjellët karshi atyre kërkesave të shumta që kanë ardhur nga shumë sindikata. Kërkoj që të reflektojnë dhe në ditën e enjte ku do të kemi në diskutim Ligjin në fjalë, të pajtohen me propozimet e opozitës dhe të shkojnë me ngritjen e këtij koeficienti në së paku me 120 euro, pra aty ku ka prezantu PDK-ja”, tha Tahiri.

Tahiri tha se subjekti i tij politik, e ka kundërshtuar këtë koeficient sepse sipas tij është koeficient i ‘mjerimit’

“Ne, si parti e kemi kundërshtuar koeficientin në fjalë sepse ky është një koeficient i mjerimit i cili nuk i përmbush nevojat e qytetarëve të Kosovës që paguhen nga buxheti i shtetit. Ne kemi propozuar një koeficient i cili është lehtë i përballueshëm nga buxheti i Kosovës i cili po ashtu do ta lehtësoj jetën e qytetarëve në vendin tonë”.

Krahas kësaj, Kuvendi i Kosovës do të mbajë edhe një seancë në ditën e merkurë në të cilën është kërkuar debat parlamentar për rezolutën ku kërkohet shkarkimi i ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdarit.

“Ky është një debat që e kemi kërkuar tash e dy muaj, mirëpo për shkak të një kaosi që e karakterizon këtë legjislaturë për shkak të mosmiratimit të shumë projektligjeve, pikave, votimeve e raporteve knë mbetur shumë pika të pa trajtuara. Kemi më shumë se tetë seanca të pambyllura nga viti i kaluar dhe me dhjetëra projektligje nuk kanë hyrë në procedurën e votimit edhe pse kanë kaluar në të dyja leximet. Pra, për shkak të këtij kaosi jemi në periudhën ku tashmë është ardhur momenti që të votojmë dhe diskutojmë në rezolutë të tillë ku kërkohet shkarkimi i ministres Hajdari”, tha Tahiri.

Para dy jave, Abelard Tahiri kishte deklaruar se Ministrja Hajdari duhet të shkarkohet pasi që e njëjta ka aktakuzë për shkak të mos deklarimit të pasurisë në ATK.

Lexo edhe:

Ministres Hajdari i ngritet aktakuzë për deklarim të rrejshëm të pasurisë

Me 14 tetor, Prokuroria e Shtetit kishte ngritur aktakuzë ndaj ministres Hajdari.

Në formularin e pasurisë, Hajdari kishte deklaruar se posedon një banes në vlerë prej 50 mijë eurove, që nuk e ka në emër të vetin, por është pronë e përbashkët familjare.

Gjithashtu Hajdari kishte deklaruar një veturë në vlerë prej 3 mijë eurove të tipit Ford dhe 900 euro para të gatshme në bankë. Ndërsa pagën mujore Hajdari e kishte deklaruar 1 mijë e 321 euro.

/Shqip.com