Lajme

PDK: Kemi vërejtje serioze për marrëveshjen në Ohër

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka thënë se subjekti i saj politik ka vërejtje serioze lidhur me marrëveshjen në Ohër në mes Kosovës dhe Serbisë.

Në konferencën për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Deliu-Kodra tha se shqetësimet më të mëdha janë edhe me çështjen ku në marrëveshje përmenden kompetencat që iu ofrohen komunitetit serb në Kosovë.

“PDK e ka dhënë qartë qëndrimin e saj. Ka vërejtje serioze për marrëveshjen në Ohër të cilat presim t’i diskutojmë në ditën e enjte. Natyrisht, ka një shqetësim serioz lidhur me kompetencat që iu jepen një komuniteti serb në Republikën e Kosovës. Kemi qenë shumë të qartë në shqetësimet që i kemi adresuar”, tha Deliu-Kodra.

Ajo potencoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë lojëra fjalësh kur përmendet çështja e vetë-menaxhimit dhe vetë-administrimit të komunitetit serb në Kosovë.

“Kryeministri dje bëri një lojë fjalësh në atë se çfarë quajmë vetë-administrim dhe vetë-menaxhim e nëse ka ndonjë dallim mes kësaj ftojë ata që dinë që të na sqarojnë se cili është dallimi në mes tyre”.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës është dakorduar që në seancën e së enjtes, kryeministri Kurti të raportojë lidhur me marrëveshjen në Ohër të Maqedonisë së Veriut me Serbinë.

/Shqip.com