Lajme

PDK-ja për masat e fundit anti-COVID: Joprofesionale dhe ekstreme, duhet të lirohen urgjentisht

Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu

Partia Demokratike e Kosovës i ka cilësuar si “joprofesionale” dhe “ekstreme”, masat e fundit kundër përhapjes së Coronavirusit, të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës.

Zëdhënësi i kësaj partie, Faton Abdullahu, në një konferencë për media ka kritikuar Qeverinë për “mungesë vizioni dhe paaftësi në menaxhimin e pandemisë”.

“Në vend të masave ekstreme të mbylljes PDK rekomandon që Qeveria të rrisë kapacitetet menaxhuese dhe të zbatoj masat e duhura, në mënyrë që qytetarët e vaksinuar me dy doza të kenë mundësi të lëvizin lirshëm pa kufizime dhe bizneset të kenë mundësi të operojnë pa u penalizuar”.

Masat e fundit, posaçërisht ajo për dëshminë e vaksinimit me dozën e tretë si kusht për hyrjen në Kosovë, sipas PDK-së janë pos tjerash shkelje e të drejtave të njeriut, “sidomos në raport me qytetarët shqiptarë të vendeve përreth”.

“Këta qytetarë kanë lidhje ta pandalshme organike me Kosovën, si ato familjare, ashtu edhe ato biznesore, si ato në arsim ashtu edhe në fusha të tjera të jetës e punës”, tha Abdullahu para mediave.

“Partia Demokratike e Kosovës kërkon që Qeveria, konkretisht nga Ministria e Shëndetësisë, t’i rishqyrtoj urgjentisht masat e fundit anti-Covid, me qëllim që t’i ndryshoj ato e për rrjedhojë ta ndalë dëmin e shkaktuar dhe diskriminimin e zyrtarizuar”.

Sipas masave të fundit të vendosura këtë muaj nga Qeveria, ora policore zbatohet nga ora 22:00-05:00, ndërkaq për ata që duhet të hyjnë në Kosovë, duhet të kenë tri dozat e vaksinës apo dy dozat plus testi PCR negativ jo më i vjetër se 48 orë./SHQIP.com