Lajme

PDK-ja kritikon qeverinë për shtrenjtimin e rrymës: Kosova prodhoi më shumë sesa konsumoi në mars

Uran Ismaili - Partia Demokratike e Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës, sërish ka prezantuar një tabelë rreth ngritjes së çmimit të energjisë elektrike në fillim të këtij viti.

Nënkryetari i kësaj partie, Uran Ismaili prezantoi një tabelë, përmes së cilës pretendon se Kosova prodhoi 150 mijë megavate më shumë sesa ishte kërkesa për konsum në muajin mars.

“Vendimi për shtrenjtimin e energjisë ishte i padrejtë dhe i panevojshëm. Nuk po e themi si tregim politik, por bazuar në fakte që i kemi prezantuar dhe do t’i prezantojmë edhe sot. Kemi marrë si shembull muajin mars kur qytetarët tanë kanë paguar energjinë elektrike me 100 për qind. Në total, prodhimi për muajin mars ka qenë 623.405 megavate, ndërsa kërkesa për konsum ishte 479.328 megavate. Kjo tregon se vendimi ka qenë i padrejtë dhe i panevojshëm. Ngritja e çmimit të energjisë elektrike i ka vënë qytetarët tanë para një dileme të madhe se ku duhet ndarë buxhetin familjar, a duhet të shkojë në produktet bazike të cilat janë shtrenjtuar, a duhet të paguajë faturën apo të hyjë në borxhe familjare për të mbuluar muajin. Ky vendim me të cilin qytetarët tanë janë dëmtuar financiarisht ka qenë i padrejtë, i panevojshëm dhe faktet sot tregojnë që ne nuk kemi pasur nevojë fare ta ngritim çmimin e energjisë”, ka thënë Ismaili në konferencë për shtyp të mërkurën.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha rikujtoi se “Qeveria Kurti pas shumë vitesh i ktheu reduktimet e rrymës, duke mos ndërmarrë hapa me kohë karshi të ashtuquajturës krizë energjetike”.

“E them kështu, të ashtuquajturën, sepse ironia qëndron në faktin e numrave të prezantuar nga kolegët e mi edhe në Kuvend, e edhe në konferencat e kaluara për shtyp lidhur me këtë çështje ku shihet qartë se në muajin shkurt ka pasur mjaftueshëm prodhim nga brenda për t’i mbuluar nevojat e konsumit dhe se importi ka qenë në përqindje shumë të vogël, përderisa qytetarët kanë paguar faturën e shkurtit me çmimin e rritur. Dhe të mos harrojmë që është kalkuluar nga gjysma e muajit sipas vendimit të ZRRE-së. Dhe, duke pasur konsum mjaftueshëm sërish në Kuvend vjen kërkesa për vazhdimin e gjendjes emergjente. Pra, kjo është ironia”, tha Hoxha.

Hoxha bëri thirrje që të themelohet komisioni hetimor parlamentar lidhur me krizën energjetike, që po kundërshtohet nga Vetëvendosja.

Kuvendi të enjten do të mbajë seancë plenare, ku edhe një herë pritet të diskutohet themelimi i këtij komisioni./Shqip.com