Lajme

PDK-ja kërkon dorëheqjen e Albulena Haxhiut

Partia Demokratike e Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës po kërkon dorëheqjen e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Kështu ka bërë të ditur Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, gjatë një konferencë për media.

Kjo kërkesë e tyre vjen pas humbjes së mostrave të “Rastit Dehari” në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“PDK ka ndjekur me shqetësim raportimet në media dhe deklaratën e Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu mbi zhdukjen e mostrave për rastin “Dehari”, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, pranë Ministrisë së Drejtësisë. Zhdukja e mostrave është përgjegjësi direkte e Ministres Albulena Haxhiu, e cila e drejton Ministrinë e Drejtësisë, ku ndodhet edhe Instituti. Kur zhduken mostrat, dëmtohen provat, dëmtohet drejtësia dhe pamundësohet zbardhja e rastit. PDK kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si përgjegjësja kryesore dhe drejtuese e Ministrisë së Drejtësisë, pranë të cilës funksionon edhe Instituti i Mjekësisë Ligjore”, është shprehur Gruda.

Përparim Gruda

Sipas Grudës, Qeveria Kurti e ka kapur edhe Institutin e Mjekësisë Ligjore duke e lënë me Ushtrues Detyre, prandaj mostrat e humbura të rastit Dehari janë përgjegjësi e drejtpërdrejt dhe e pamohueshme e Ministres së Drejtësisë.

/Shqip.com