Lajme

PDK-ja e pakënaqur me buxhetin

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu në konferencë për media

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, thotë se buxheti i miratuar sot në rishikim të dytë, nuk i plotëson kërkesat e qytetarëve – arsye kjo për të cilën PDK nuk merr pjesë në seancën e orës 15:00, ku dështoi të miratohen edhe katër marrëveshje ndërkombëtare.

Ajo në një konferencë për media tha se buxheti nuk i plotëson as pikat e programit të partisë në pushtet, duke shtuar se Qeveria nuk ka plan për rimëkëmbje.

“Kemi parë një tendencë për diskriminim të komunave që nuk i qeverisë VV-ja. Përmes këtij rishikimi po rritet edhe borxhi publik. Kemi parë tendencë për keqpërdorim të Qeverisë, e kemi parë rastin me tiketa ngjitëse dhe tenderët një-burimor”, tha ajo.

“PDK-ja për këtë nuk e ka votuar rishikimin e buxhetit. PDK-ja ka thënë se nuk do të marrë pjesë në seancën për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”.

Sot ishte afati i fundit për miratimin e këtyre marrëveshjeve. Në rast të mosmiratimit, Kosova humb mbi 80 milionë euro, gjë që edhe u bë për shkak të kuorumit të pamjaftueshëm në seancën plenare. /Shqip.com