Lajme

PDK-ja e dërgon në Kushtetuese Ligjin për KPMShCK

Gjykata Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese

Përparim Gruda, koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), ka njoftuar sot se kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK).

Sipas tij, ka dyshime që Qeveria duke bërë ndryshime në këtë Ligj, e ka shkelur Kushtetutën.

“Sot në Gjykatën Kushtetuese e dorëzuam kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin e Ligjit aktual të KMSHCK-së. Ne siç e dini pothuajse në fillim të këtij mandati e kemi kontestu shkarkimin e anëtarëve të këtij Këshilli në Gjykatën Kushtuese dhe kjo gjykatë na ka dhënë të drejtë dhe ka përcaktuar disa aspekte shumë të rëndësishme të funksionimit të statusit kushtetues të këtij institucione. Fatkeqësisht ky Ligj i shkel ato përcaktime kushtetuese që i ka bërë Gjykata në atë vendim paraprak prandaj ne sot i kemi kontestu prapë ndryshimet që janë bërë në këtë Ligj”, deklaroi ai.

Këtë veprim sipas Grudës, Qeveria e ka bërë për ta nënshtruar dhe kapur këtë organ të pavarur.

“Këto ndryshime e kanë vetëm një qëllim. Ta nënshtrojnë dhe ta kapin organin e pavarur kushtetues, në mënyrë që ai të kthehet në një mekanizëm që i legjitimon, përkrahë, nuk i ndalon punësimet politike, partiake, të militantëve, të familjarëve të qeveritarëve të Kosovës”, ka thënë tutje ai.

Avokati Faton Fetahu ka thënë se janë të paktën katër shkelje të këtij ligji të cilat PDK i ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese dhe të cilat pret të rrëzohen aty.

“E para, pushteti zgjodhi që të propozojë zhveshjen nga imuniteti të të gjithë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës. Imuniteti është instrument kushtetues që ua garanton Kushtetuta. E dyta, shumica parlamentare ka propozuar që të përjashtohen nga fushëveprimi i kontrollit të ligjshmërisë nga ana e Këshillit pozitat e nivelit të lartë drejtues. Janë mijëra pozita të tilla që përjashtohen nga kontrolli – në mënyrë që të mundësohet kapja dhe nënshtrimi i institucioneve përmes veprimeve të shpejta. E treta, është rritja absurde e anëtarëve të këtij Këshilli, nga shtatë në pesëmbëdhjetë. Kjo rritje e numrit ka për qëllim të dërgojë militantët partiak në këtë Këshill, që të kenë mbivotim në çështjet që ata dëshirojnë. Dhe, po ashtu, e katërta, është propozimi për pezullimin e vendimeve të Këshillit, nëse të njëjtit atakohen nga Qeveria në Gjykatë. Vendimet e Këshillit gjithmonë zbatohen, pavarësisht nëse lënda shkon në Gjykatë”, ka thënë Fetahu.

/Shqip.com