PDK: Fushata e Ajazit kundër Lladrovcit është e turpshme

Partia Demokratike e Kosovës përmes një komunikate ka dënuar deklaratën e kandidatit për kryetar të Drenasit, Driton Ajazit dhënë rreth Ramiz Lladrovcit, ku thuhet se “kryetari i Drenasit është dëshmitar kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Këtë deklaratë, PDK e cilëson si “fushatë të turpshme, linçuese dhe shpifëse”.
“I mësuar me logjikën e mashtrimeve e manipulimeve, Ajazi paturpësisht ka shpifur për procesin e Gjykatës Speciale, me të cilin po përballen liderët historikë të Kosovës dhe PDK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli”, thuhet ndër tjerash në komunikatën e PDK-së.
Partia që drejtohet nga Memli Krasniqi ka kërkuar nga qytetarët e Drenasit që Ajazin “ta ndëshkojnë me votë”, e t’ia vazhdojnë jetën qeverisjes së Ramiz Lladrovicit – siç e quajnë ata “të pastër”.
“Iniciativa e Ajazëve dhe oportunistëve të ngjashëm në Drenas është produkt i kundërshtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe qëllimi i tyre i vetëm është dëmtimi politik e elektoral i PDK-së. Për këtë, secili prej tyre do të mbajë përgjegjësinë e vet politike dhe morale”.
Driton Ajazi ishte pjesë e Partisë Demokratike e Kosovës.
Madje, pretendonte që e ka mbështetjen e strukturës lokale në Drenas.
Fillimin e vitit 2021 kishte paqartësi se kush do të jetë kandidati i PDK-së për kryetar të kësaj komune.
Por, PDK vendosi – ia dha mundësinë Lladrovcit që ta vazhdojë qeverisje; kuptohet duke i fituar zgjedhjet.
Me këtë vendim Ajazi nuk u pajtua – ku edhe themeloi iniciativë.
I doli e suksesshme, pasi ka arritur të shkojë në balotazh ku përballë do ta ketë Partinë Demokratike të Kosovës. /Shqip.com