Lajme

PDK e LDK thonë se Plani Evropian nuk është në favor të Kosovës

Opozita

Pjesa më e madhe nga opozita vlerësojnë se Plani Evropian të cilin e ka pranuar kryeministri Albin Kurti, mendojnë se nuk është në favor të Kosovës për shkak që nuk ka njohjen reciproke në qendër, por themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa përmes një interviste për EO, ka thënë së mënyra e udhëheqjes së dialogut nga kryeministri Albin Kurti i ka degraduar bisedimet me Serbinë në një nivel më të ultë.

“Unë mendoj se forma siç i ka udhëhequr kjo Qeveri, apo ky kryeministër, bisedimet me Serbinë vetëm e ka ulur nivelin e bisedimeve dhe i ka degraduar bisedimet në raport me Serbinë”. Në të kaluarën ka qenë në qendër njohja reciproke mes dy shteteve, në këtë rast mes Republikës Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Tani nuk e kemi njohjen, por fatkeqësisht është një Asociacion në qendër. Pika 10 po më duket, e obligon Qeverinë e Kosovës që t’i pranojë të gjitha marrëveshjet e kaluara”, është shprehur Beqa.

Beqa thotë se si shtet e kanë obligim që marrëveshjet e nënshkruara të zbatohen, por gjithmonë në përputhje me Kushtetutën.

“Si shtet kemi obligim t’i zbatojmë marrëveshjet të cilat nënshkruhen, por marrëveshjet duhet të jenë në harmonizim me Kushtetutën. Duhet që t’i ruajmë raportet edhe me aleatët, i kemi parë edhe deklarimet e Shteteve të Bashkuar të Amerikës por edhe të Bashkimit Evropian që nuk po kërkohet nga Qeveria e Kosovës marrëveshje në kundërshtim me Kushtetutën. Në të njëjtën kohë mendoj që kryeministri nuk ka qenë i autorizuar ta heqë nga tema njohjen reciproke dhe mendoj që kjo marrëveshje na fut në një status quo, që nuk shkon në favor të qytetarëve të Kosovës duke pasur parasysh numrin e lartë të migrimit që e kemi”, ka thënë ai.

Ndërsa, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, tha se edhe për partinë e saj ka qenë shqetësuese fakti që kjo marrëveshje nuk ka njohje përfundimtare.

“Dakordimi mes palëve, domethënë mes kryeministrit dhe presidentit Vuçiq, gjithashtu edhe palëve ndërkombëtare, për neve ka ngritë shqetësimet tona, sepse ne si Lidhje Demokratike e Kosovës kemi pritur që ky plan të ketë njohje përfundimtare, jo një njohje bazë siç është parë në këtë plan”.

Krasniqi mendon se shqetësues është edhe neni 7 i këtij plani.

“Gjithashtu ka qenë shqetësues neni 7 për arsye se po i jepet më shumë autonomi shtetit serb. Shqetësuese është po ashtu që tejkalimi i së kaluarës, ku kryeministri Albin Kurti ka ardhur në pushtet me disa parime duke thënë se nuk do të ketë dialog pa u gjetë i pagjeturi i fundit, ndërsa në këtë marrëveshje shihet një barazim mes viktimave dhe agresorit serb që është shqetësuese për të gjithë qytetarët e vendit. Siç duket tash e dy vjet ai i ka shkelë të gjitha parimet prej që ka ardhur në pushtet”.

Deputetja e LDK-së mendon se kjo marrëveshje do të dërgojë Kosovën në një “Status-quo”.

“Marrëveshja na çon në një status quo dhe që nuk pritet asgjë tjetër përveç asaj. Ne kemi pritur që të përfundojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, jo të ketë tejzgjatje ky proces. Gjithashtu e kemi parë që në këtë marrëveshje është pranimi i të gjitha marrëveshjeve të cilat kanë qenë në të kaluarën në vitin 2013 dhe 2015 ku kryeministri i tanishëm kur ka qenë në opozitë ka qenë kundër këtyre marrëveshjeve”.

Madje, Krasniqi përmend se gjatë asaj kohe ka pasur protesta të dhunshme të shoqëruara edhe me humbje të jetëve të njerëzve, ndërsa tani po kërkohet modaliteti që të kalohen këto marrëveshje.

/Shqip.com