Lajme

PDK dorëzon kallëzim penal ndaj ministrit Murati dhe sekretarit të tij

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë kallëzim penal ndaj ministrit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transferëve, Hekuran Muratit dhe sekretarit të tij, Enis Spahiut në Prokurorinë Speciale.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri përmes një postimi në faqen e tij zyrtare ka thënë se kallëzimi penal ndaj Muratit dhe Spahiut është për shkak të mosekzekutimit të pagave të mësimdhënësit.

“Vepruam sepse pasojat e keqpërdorimit të detyrës zyrtare të Ministrit Murati dhe vartësit të tij z.Spahiu, po i vuajnë mbi 23 mijë mësimdhënës e mbi 5 mijë punëtorë administrativ dhe teknik të shkollave që janë punëtorë të komunave e jo të qeverisë. Kjo e fundit, nuk ka asnjë kompetencë ligjore për t’iu ndalë pagën, si elementi bazë i marrëdhënies tuaj të punës – mes juve – si punëmarrës dhe komunave – si punëdhënës”, shkroi Tahiri.

Sipas Tahirit, ligji është shkelur dyfish në kuptimin që janë ndalur pagat si dhe janë diskriminuar mësimdhënësit.

“Kjo shkelje ligjore është edhe më e rëndë pasi qeveria ka aplikuar standard dhe diskriminim të dyfishtë: e para, nuk ua ka ndalur pagën të gjithë pjesëmarrësve të grevës, por vetëm një pjese të tyre dhe e dyta, ua ka ndalur pagën edhe atyre pak mësimdhënësve të cilët në disa komuna e në disa shkolla brenda tyre, i kanë mbajtur orët mësimore dhe nuk kanë qenë pjesëmarrës në grevë”.

Megjithatë, Tahiri ju është drejtuar mësimdhënësve duke ju thënë se si parti nuk mund të rrinin duarkryq

“Përballë dënimit tuaj të padrejtë e të kundërligjshëm nuk mund të rrijmë duarkryq e të solidarizohemi me fjalë. Ju, nuk keni kërkuar asgjë më shumë se dinjitet dhe nuk mund të dënoheni vetëm pse keni zgjedhur të ushtroni të drejtën kushtetuese për grevë”.

Kallëzimin penal ndaj ministrit Murati, Tahiri e kishte paralajmëruar që nga e hëna pas mbledhjes së kryesisë.

Ndërsa, sot ata e kanë bojkotuar mbledhjen e Kryesisë për shkak të mosekzekutimit të pagave për mësimdhënësit.

/Shqip.com