Lajme

PDK dhe LDK e konsiderojnë të dobët buxhetin për vitin 2023

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka miratuar buxhetin për vitin 2023 plotë 3 miliardë e 212 milionë euro.

Kjo shumë nga opozita po konsiderohet të dobët.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj ka thënë se forma si është paraqitur buxheti bien mbi kurrizin e qytetarëve.

“Sa i përket Ligjit të ri të buxhetit të Kosovës forma se si është paraqitur prapë kjo bie mbi kurrizin e qytetarëve. Në njërën anë kemi pak shpenzime të investimeve kapitale që do të ishte rikthim i atyre mjeteve në të mirën e qytetarëve ndërsa kemi prolongim të rritjes së buxhetit me këto çmime enorme dhe TVSh të rritur në kuptimin e rritjes së çmimeve dhe me forma të tjera tatimore të cilat e kanë rënduar jetën dhe mirëqenien e qytetarëve tanë”.

Ai tha se kjo rritje është në kurriz të rritjes së çmimeve dhe varfërisë.

“Ky lloj deklarimi është i pasaktë dhe asgjë nuk është produktive këtë vit dhe sipas kësaj qasje edhe vitin e ardhshëm do të jenë problematikat e njëjta. Kosova ka avancuar që ta ketë buxhetin më të lartë. Viti i fundit është më skandaloz në kuptimi e shpenzimit dhe të investimeve që do të duhen të ishin publike. Kjo rritje është në kurriz të rritjes së çmimeve dhe varfërisë”, tha Zemaj për EO.

Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Hajdar Beqa thotë se nuk sheh buxhet zhvillimor, por më shumë bartje të mjeteve nga viti në vit apo dështim të investimeve kapitale.

“Nuk shoh ndonjë buxhet që ka mund me përcjellë inflacionin dhe nuk e shoh ndonjë buxhet zhvillimor, por më shumë bartje të mjeteve nga viti në vit apo dështim të investimeve kapitale nga ky vit në tjetrin”.

Ai tha se nuk është buxheti më historik dhe mendon që është buxheti më i dobët sesa ai që ka qenë në vitin 2018 apo 2019.

/Shqip.com