Lajme

PDK dorëzon kallëzim penal ndaj ZRRE-së

Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar kallëxim penal ndaj anëtarëve të bordit të ZRRE-së, për mos zbatim të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Bajrush Xhemajli në një konferencë për media pas dorëzimit të padisë tha se ZRRE, përkundër detyrimit ligjor për të zbatuar vendimin e gjykatës, dezinformoi opinionin publik, se gjoja ky vendim nuk mund të zbatohet pasi ata do të ankohen në Gjykatën e Apelit.

“Krejt kjo paligjësi, po kalon në heshtje nga Kryeministri dhe tërë mazhoranca në Qeveri e Parlament, që tregon se janë në sinkron të plotë me ZRRE-në. Bordi i ZRRE, ka vendosur të veproj mbi ligjin e mbi vendimin gjyqësor, prandaj ne këtë nuk do ta tolerojmë dhe nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për qytetarët të cilët po plaçkitën.”, shtoi Xhemajli.

Xhemajli tha se PDK mirëpret fillimin e hetimeve penale ndaj Bordit të ZRRE-së, sepse beson në shtetin ligjor dhe demokratik.

Dje gjatë ditës shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka deklaruar  ky është haraç që bartësit e Albinit duan t’ia japin qytetarëve të Kosovës. Po ashtu Tahiri ka thënë se  këta njerëz po dëmtojnë mbi 350 mijë familje në Kosovë.

Gjykata Themelore ditë më pare e cilësoi si të kundërligjshme vendimin e kësaj zyre për ngritjen e çmimit të faturave të energjisë./Shqip.com