Lajme

PDK anëtarësohet në rrjetin e Partive Liberale të Evropës Juglindore (LIBSEEN)

Partia Demokratike e Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës, edhe zyrtarisht sot është bërë pjesë e Organizatës së Partive Liberale të Evropës Juglindore (LIBSEEN).

‘’Në takimin e Komitetit Drejtues të Rrjetit Liberal të Evropës Juglindore (LIBSEEN), të mbajtur sot në Sarajevë, PDK është pranuar në këtë organizatë me të drejta të plota’’ thuhet në njoftimin për media të Partisë Demokratike të Kosovës.

LIBSEEN është organizatë që bashkon rreth vetes partitë liberale nga Evropa Juglindore dhe është pjesë e Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE).

Në themelin dhe strukturën e saj, LIBSEEN promovon vizionin që mbështetë Bashkimin Evropian si konstruksion politik, shoqëror e demokratik, duke përqafuar vlerat e përbashkëta dhe angazhohet për integrimin sa më të shpejtë të Evropës Juglindore në BE.

LIBSEEN

Po ashtu sipas njoftimit thuhet se anëtarësimi i Partisë Demokratike të Kosovës në LIBSEEN ofron një platformë të re në vazhdimin e përpjekjeve të Kosovës për integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe avancimin edhe të mëtutjeshëm të bashkëpunimit rajonal.

Anëtarësimi i PDK-së në LIBSEEN ka ardhur si rezultat i vendimmarrjes së Këshillit Drejtues ku është vendosur që PDK të anëtarësohet në të gjitha organizatat e partive liberale thuhet më tutje në njoftimin e Partisë Demokratike të Kosovës./Shqip.com