Lajme

PDK akuzon Osmanin se nuk po i përmbushë obligimet kushtetuese, reagojnë nga Presidenca

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka akuzuar presidenten Vjosa Osmani për mospërmbushje të obligimeve kushtetuese.

Kjo akuzë e Gjoshit vjen pasi Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani, publikoi shpenzimet e Presidencës, ku sipas të dhënave në vitin 2021 janë ulur dukshëm krahasuar me vitet paraprake.

E sipas zyrtarit të PDK-së, kjo ka ndodhur pasi presidentja është në “gjumë dimëror”.

“Unë po ja sjellë në dijeni taksapaguesve, se ‘le të flenë zbathur’ se zonja Osmani jo vetëm që ka ulë shpenzimet, por ajo nëse vazhdon me këtë ‘gjumë dimëror’ kanë me zënë shumë pranvera duke shpenzuar pak para të buxhetit për punë zyrtare, sepse ajo nuk ka kryer asnjë obligim kushtetues”, ka shkruar në Facebook, anëtari i Kryesisë së PDK-së.

Mes tjerash, ka thënë se nuk mund të shpenzohet buxheti i shtetit “pa dalë jashtë zyrës”.

“Po ku na paska qenë Presidentja për vizitë zyrtare ,për të bërë shpenzime për bileta udhëtimi ? Madje, as për darka e dreka nuk janë bërë shpenzime, sepse askush nga qarqet vendimmarrëse ndërkombëtare nuk ja ka çelur derën e shkelë pragun e zyrës”.

“Në vend të shpenzimeve është dashtë të prezantoi punët. Kush i tha puna e mbarë në një punë të hajrit për Kosovën?”.

Gjoshi po ashtu e ka akuzuar Osmanin se “e ka izoluar Kosovën”.

“Besoni, se mos me pasë fare president edhe më shumë ulen shpenzimet…! Lërini ‘pallavrat’ po nisnja punoni diçka se ja mbylltë të gjitha dyert Kosovës!”.

I menjëhershëm ka qenë reagimi nga këshilltari i Zyrës së Presidencës, Bekim Kupina, i cili tha se Osmani në 2021-tën ka realizuar 14 vizita zyrtare e bilaterale jashtë vendit.

“Shtetet që janë vizituar: Gjermania, Zvicra (dy vizita), ShBA-të (1 vizitë në Uashington, 2 në selinë e OKB-së), Austria, Sllovenia, Portugalia, Estonia, Kanadaja, Belgjika, Turqia dhe Japonia”.

“Presidenca e Kosovës nuk e ka pushuar asnjë çast punën edhe gjatë kohës së pandemisë, ndaj këto vizita të realizuara jashtë vendit dëshmojnë për një aktivitet të dendur në fushën e politikës së jashtme, si asnjëherë më parë në vitet e fundit”./SHQIP.com