Lajme

PDK- AAK kundërshtojnë Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore

Opozita

Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, sot pritet të votohet Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka prezantuar projektligjin para deputetëve.

“Drithërat, mielli, buka, orizi, pastat, gruri, vaji ushqimor, qumështi, kripa e kuzhinës, vezët pule, mishi i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjienës personale, lëndët e drurit për djegie”, janë produktet që pritet t’u vendoset çmimi tavan, nëse aprovohet ky projektligj në Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo kjo nuk është përkrahur nga dy partitë opozitare PDK-ja dhe AAK-ja

Ferat Shala nga PDK-ja thotë se ky Projektligj tejkalon përmasat e një ligji qëllim mirë por shtoi se gjithashtu mund të përdoret edhe kundër bizneseve për mënyrën e ruajtjes së konkurrencës.

“Ky draft ligj tejkalon edhe përmasat e një ligji qëllim mirë dhe lë hapësirë zëmadhe që ky ligj mund të kthehet në dëm apo edhe mund tëpërdoret në situata të caktuara kundër  bizneseve për mënyrën dhe ruajtjen e konkurrencës”, deklaroi ai.

Lexo edhe:
Qeveria i kërkon Kuvendit votimin e projektligjit për masat e përkohshme të produkteve

Në anën tjetër, Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore i propozuar nga Qeveria është në kundërshtim me Kushtetutën dhe dëmton rëndë tregun e lirë.

“Ne si AAK kemi kërkuar dhe jemi më shumë për largimin e TVSH-së për produktet bazë sesa për këtë projektligj. Këtë projektligj nuk do ta përkrahim në parim. Ne do ta përkrahim vetëm atëherë kur bëhen ndryshime rrënjësore. Ne do të votojmë kundër sepse ministrja nuk na ka bindur se shkon në favor të qytetarëve por e dëmton rëndë tregun e lirë”, ka thënë ai.

Hajdari në fjalën e saj ka thënë se ky projektligj ka parapa masa mbrojtëse që do të ndërmerren në raste të veçanta.

/Shqip.com