PD zgjedh komisionin që do të udhëheq punimet e Kuvendit Kombëtar të thirrur nga Sali Berisha

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike në Shqipëri ka zgjedhur anëtarët e komisionit që do të drejtojnë punimet e Kuvendit Kombëtar, përcjell Shqip.com.
Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka, ka propozuar emrat e pesë anëtarëve të komisionit dhe më pas i hodhi për miratim, të cilët me votë unanime u miratuan.

Kuvendi do të drejtohet nga: Albana Vokshi, Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Edmond Spaho, Belind Këlliçi, i cili do të jetë kryetar i komisionit.
Ndërsa sekretariati do të përbëhet nga: Minushe Lazaj, Nade Daullja, Ledio Nuraj.Në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Sali Berisha të shtunën , është themeluar Komisoni Tranzitor me 15 anëtarë.
Ky Komision do të ushtrojë të gjithë kompetencat që i takojnë organeve qendrore të Partisë Demokratike, me përjashtim të atyre që i takojnë Kuvendit Kombëtar.
Po ashtu, Komisioni është përgjegjës për organizimin dhe mbajtjen e proceseve zgjedhore brenda PD-së, si dhe për krijimin e organeve të reja brenda partisë që sipas nenit 65 te tij fillon menjëherë dhe përfundon jo më vonë se tre muaj pas hyrjes në fuqi.
Nëse ndryshimet statutore marrin fuqi, atëherë brenda marsit, demokratët mund të kenë lidership të ri drejtues.
Kryetari i Partisë Demokratike zgjedhet sipas parimit, “një anëtar, një votë”.
Ndryshe, kjo fundjavë do të jetë shumë e nxehtë sa i përket situatës politikë në Shqipëri, pasi që partia më e madhe opozitare ndodhet në një moment përçarje të thellë.
Sali Berisha njoftoi se të shtunën duke filluar nga ora 10:00, do të zhvillohet një kuvend kombëtar, por që kryetari actual, Lulzim Basha dhe PD-ja e quajnë miting.
Ndërkohë, Berisha, mbrëmjen e së premtes ka bërë thirrje për ulje të toneve, dhe ka ftuar Bashën që t’i bashkohet aktivitetit dhe së bashku të rithemelojnë Partinë Demokratike./SHQIP.com