Lajme

PD mbetet “jetime”/ Dash Sula: Nuk njohim si kryetar as Bashën, as Berishën

Partia Demokratike vijon të jetë në krizë. Të paktën tre grupe ekzistojnë brenda opozitës duke krijuar kështu një klimë fragmentarizimi e cila sa vjen dhe thellohet.

Deputeti Dashnor Sula deklaron se ai nuk e njeh si kryetar të partisë as Sali Berishën dhe as Lulzim Bashën. Sula është mbështetës i grupimit të Gazment Bardhit të cilët së fundmi janë afruar me grupimin e Rithemelimit që kryesohet nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Sula tha se problemi i tij dhe i kolegëve të tij të opozitës, është ushtrimi i detyrës si deputet me të drejta të pacunguara.

“Ne nuk e njohim Sali Berishën për kryetar të Partisë Demokratike, nuk e njohim as zotin Basha si kryetar të Partisë Demokratike. Unë nuk mund të them nëse do e mbështesim apo jo turin e Sali Berishës për të takuar bazën. Kjo është pa një vendim, ne kemi një kryetar të grupit parlamentar, ne kemi një qasje ndryshe nga të Rithemelimit, e kjo gjë nuk është diskutuar. Unë me të gjithë kolegët e mi, problemin më të madh e kemi detyrën si deputet i parlamentit të Shqipërisë që duhet të ushtrojmë”, tha Dashnor Sula.

Sali Berisha pretendon se e ka shkarkuar Lulzim Bashën në referendumin e 18 dhjetorit 2021 dhe është zgjedhur vetë në krye të PD përmes votës së mbi 40 mijë anëtarëve.

Ndërsa Lulzim Basha, në po këtë datë përmes një mbledhje të Këshillit Kombëtar, ka përjashtuar ish-kryeministrin Berisha nga PD.

Zgjidhje për PD-në ende nuk ka, ndërsa forca politike që solli pluralizmin në vend endet në dyert e gjykatave për të regjistruar statutin.

/Shqip.com