Lajme

PD e Bashës mbështet heqjen e imunitetit të Berishës

Partia Demokratike e Shqipërisë ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në seancën e kuvendit, ku u mor vendimi për heqjen e imunitetit të Sali Berishës.

Kjo parti ka thënë se deputetët e saj e mbështesin punën e SPAK-ut.

“Deputetët e Partisë Demokratike mbeten të vendosur në mbështetjen e SPAK-ut dhe heqjen e imunitetit të çdo personi që është kërkuar nga drejtësia. Ky është një standard i vendosur dhe do të ndiqet gjithmonë nga PD-ja dhe deputetët e saj. Mosfunksionimi normal i seancave parlamentare pamundësoi sot pjesëmarrjen dhe votimin e grupit parlamentar të PD-së pro heqjes së imunitetit për deputetin Sali Berisha. Deputetët e PD-së nuk do të bëhen kurrë pjesë e skenarëve të përgatitur nga Edi Rama dhe Sali Berisha për t’i përdorur si argument për t’i ikur drejtësisë. Ata bënë gjithçka për të bllokuar dhe defunksionalizuar drejtësinë, por nuk ia dolën”, thuhet në deklaratë.

Shfaqja e shëmtuar që dyshja Rama-Berisha u ofron çdo të enjte shqiptarëve sipas PD-së, mungesa e debatit dhe bllokimi i jetës parlamentare, janë akte që i shërbejnë një qeverie të dështuar dhe një segmenti opozitar, të cilët, së bashku përpiqen t’i fshihen drejtësisë.

“PD-ja është e vendosur në mbështetjen ndaj SPAK-ut dhe hetimeve të thella, të drejta dhe të paanshme për të gjithë ata qeveritarë apo ish-qeveritarë që kanë shpërdoruar besimin e shqiptarëve dhe kanë përvetësuar pasuritë e tyre. Çdo lloj aleance e dukshme e kullave, apo e padukshme, për t’i bërë bisht drejtësisë, nuk do të mund ta mbajë peng PD-në dhe misionin e saj për t’i dhënë shqiptarëve normalitetin, sigurinë dhe mirëqenien që meritojnë”, përfundon deklarata e PD-së.

/Shqip.com