PD bëri thirrje për bojkot, Salianji mbush plot sallën në Korçë, demokrati: 95% e drejtuesve të partisë janë këtu
Ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji këtë të shtunë zhvilloi një takimin me mbështetës në qytetin e Korçës, teksa ka mbushur sallën me demokratët e shumtë që kanë pjesë në këtë takim.
Edhe pse Partia Demokratike iu bëri thirrje anëtarëve të PD-së që të bojkotojë takimin, duket se demokratët e kanë refuzuar urdhrin nga partia.
Në këtë takim ka marrë pjesë edhe Alesia Balliu, e cila është një nga kritiket më të ashpra të kryedemokratit Sali Berisha dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së Flamur Noka.
Kujtojmë që ky është takimi i radhës i Salianjit, pasi më parë ka zhvilluar takime në Tiranë, Durrës, Elbasan edhe Shkodër.
Salianji: Unë bëra burg, të tjerët në PD morën leje, tendera dhe bënë para
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka ngritur tonet në një tjetër tur, nga Korca, duke sulmuar ashpër drejtimin aktual të PD-së dhe duke theksuar se ai personalisht ka paguar kosto të rënda në përballjen me qeverinë e Edi Ramës.
Salianji deklaroi se, ndryshe nga shumë figura të tjera politike, ai ka përfunduar në burg si pasojë e betejës së tij me qeverinë, ndërsa të tjerë, sipas tij, kanë përfituar leje, tendera dhe pasuri.
“Kam mbajtur kosto nga kjo qeveri. Kur unë kam bërë burg, shumë të tjerë kanë marrë leje, kanë marrë tendera dhe kanë bërë para”, u shpreh Salianji.
Ai theksoi se është e padrejtë që të konsiderohet problem për Partinë Demokratike ai dhe demokratët që, sipas tij, e kanë mundur Edi Ramën në përballje direkte, ndërkohë që drejtues të tjerë janë mundur vazhdimisht në zgjedhje që prej vitit 2013.
“Si mund të thuhet që qenka problem për PD unë dhe ju që e kemi mundur Edi Ramën dhe jo këta që i dërrmon Edi Rama në çdo palë zgjedhje prej vitit 2013?”, tha ai.
/Shqip.com