Lajme

Patentë shoferët e Kosovës shumë shpejt do të njihen edhe nga një shtet tjetër evropian

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në mbledhje të Qeverisë ka njoftuar se shumë shpejt patentë shoferët e Kosovës do të njihen edhe nga Hungaria.

Ai tha se kjo projekt-marrëveshje ka për qëllim lehtësimin e qarkullimit rrugor tek të dyja palët.

“Më lejoni para jush të propozoj nismën e marrëveshjes mes Qeverisë së Kosovës dhe Hungarisë për njohjen reciproke e patentë-shoferëve. Kjo projekt-marrëveshje ka për qëllim lehtësimin e qarkullimit rrugor tek të dyja palët”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Sipas Sveçles, marrëveshja është në përputhje me ligjin e Kosovës.

“Marrëveshja ka kaluar të gjitha hapat procedural të parashikuar me ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare dhe si i tillë nuk bie ndesh me ligjet dhe aktet tjera ligjore të Kosovës”, tha ai.

Sot ekzekutivi i Kosovës ka mbajtur mbledhjen e 96-të ku ka miratuar disa projektligje për Prokurorin e Shtetit dhe atë për Prokurorisë së Speciale. Një tjetër projektligj i miratuar është edhe ai për Siguri Kibernetike./Shqip.com