Lajme Ballkan

“Pasivizimi i shtetësisë serbe ndaj shqiptarëve në Serbi po vazhdon”

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, tha se pasivizimi i shtetësisë serbe ndaj shqiptarëve në Serbi po vazhdon, transmeton Shqip.com.

Përmes një postimi në Twitter, Von Cramon pyeti se si dhe pse mund t’u hiqen qytetarëve të rëndomtë të drejtat e tyre themelore.

“Pasivizimi i shtetësisë serbe vazhdon, siç e shfaq qartazi kjo tabelë. Kjo ndodh në rajonin e banuar kryesisht me shqiptarë në jug të Serbisë. Si dhe pse mund t’u hiqen qytetarëve të rëndomtë të drejtat e tyre themelore”, shkroi Von Cramon.

Von Cramon këto deklarata i bëri duke përcjellur një postim të një përdoruese tjetër të rrjetit social, Flora Ferati-Sachsenmaier, e cila publikoi një tabelë ku shihej zvogëlimi i numrit të votuesve të regjistruar në Serbi në krahasim mes vitit 2012 dhe 2019 në disa vendbanime si: Gjylekreshtë, Kapit, Tupallë, Sijarinë, Sfircë, Rama Banjë, Stara Banjë dhe Gërbac./SHQIP.com