Lajme

Pasi shpallet i pafajshëm, Naser Pajazitajt iu sulmua shtëpia me armë zjarri

Naser Pajazitaj
Naser Pajazitaj

Ahmet Tahiri, avokat i Naser Pajazitajt, i cili ishte i dyshuar për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitaj, nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në “Facebook”, njoftoi se të hënën në mbrëmje është sulmuar klienti i tij, pak ditë pasi është shpallur i pafajshëm dhe liruar nga burgu me vendim të Gjykatës Supreme.

“Mbrëmë familja dhe shtëpia e Naser Pajazitajt është sulmuar me armë zjarri rreth orës 02:00 të mëngjesit duke traumatizuar Naserin dhe familjen e tij. Lusim organet e drejtësisë, përkatësisht Policinë dhe Prokurorinë Themelore në Pejë që sa më parë të zbulohet ky rast dhe personat që kanë kryer këtë vepër të marrin dënimin e merituar”.

Donjeta Pajazitaj ishte gjetur e vdekur më 27 dhjetor të vitit 2015, shtatë javë pasi ishte shpallur e zhdukur dhe po kërkohej nga organet e rendit.

Ndryshe, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka thënë se rastin e ka raportuar vetë Pajazitaj.

“Ai ka thirr dhe ka raportu për të shtëna në kulmin e shtëpisë së tij. Të lënduar s’ka pasur, vetëm janë dëmtuar dy tjegulla. Në vendin e ngjarjes ka dalë Forenzika dhe Prokurori dhe është hapur rast për veprën “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. S’ka të dyshuar ende”, ka deklaruar Gashi.

/Shqip.com