Lajme

Pas vizitës së Escobar-it dhe Lajçak-ut- Kurti dhe Vuçiq së shpejti do të takohen në Bruksel

Takimi në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi

Modalitetet për çështjen e Asociacionit të Komunave të Kosovës pritet që të vendosen në tavolinë në Bruksel pas vizitës në Kosovë të emisarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarit të SHBA-së, Gabriel Escobar.

Burime të Shqip.com brenda presidencës bëjnë me dije se krerët shtetërorë të Kosovës kanë pritur që gjatë vizitës së përfaqësuesit të SHBA-së dhe atij të BE-së, të mësojnë qëndrimin e dy përfaqësuesve rreth kësaj teme dhe më pas, të vendosin se çfarë modalitete të përdorin në këtë rast.

Sipas të njëjtit burim, pritet që së shpejti të ndodh një takim i nivelit të lartë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel para zgjedhjeve nacionale që do të mbahen më 3 prill në Serbi.

Emisarit i BE-së Miroslav Lajçak dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i SHBA-së, Gabriel Escobar.

Gjatë konferencës së përbashkët për media, Escobar dhe Lajçak deklaruan se nuk duan të ju imponojnë Kosovës dhe Serbisë asnjë modalitet.

“Ne nuk kemi ardhur këtu me recetë propozimesh që do të donim t’i impononim. Në fakt, ne po kërkojmë nga të dyja palët [Kosova dhe Serbia] që të jenë konstruktive, t’i ofrojnë vizionet e tyre se si duhet të duket Asociacioni dhe pastaj të negociojnë prej aty, në kuadër të dialogut”, tha Escobar në konferencën e përbashkët me Lajçakun.

Sipas Violeta Haxhollit nga Instituti Demokratik i Kosovës, Asociacioni mund të jetë i pranueshëm vetëm në rastin kur nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe nuk ka kompetenca të plota ekzekutive.

Violeta Haxholli

“Asociacioni i komunave të Kosovës mund të jetë një nga modelet që mund të aceptohet dhe është në përputhje me Kushtetutën nëse funksionon si mekanizëm i cili mbikëqyrë qeverisjen lokale dhe nëse ka kompetenca të një shoqate apo OJQ-je”, tha Haxholli për Shqip.com.

Në Marrëveshjen e parë të Brukselit, të vitit 2013, për parimet që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjashtë pikat e para i referohen Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në atë marrëveshje është e shkruar që ky Asociacion do të themelohet në bazë të statutit dhe se shpërbërja e tij mund të bëhet vetëm me vendim të komunave pjesëmarrëse.

Dy vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes së parë të Brukselit, Kosova dhe Serbia nënshkruan gjithashtu një marrëveshje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e cila harmonizoi parimet e përgjithshme dhe elementet kyçe.

Marrëveshja e vitit 2015 përbëhet nga 22 pika, të cilat specifikojnë kornizën ligjore, qëllimet, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, buxhetin dhe mbështetjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kjo marrëveshje parasheh që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të themelohet siç është paraparë në Marrëveshjen e parë, me Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së parë dhe ligjet e Kosovës.

Disa prej qëllimeve përmenden se janë: forcimi i demokracisë lokale; kryerja e mbikëqyrjes së plotë për zhvillimin e ekonomisë vendore; kryerja e mbikëqyrjes së plotë në fushën e arsimit; kryerja e mbikëqyrjes së plotë në kujdesin parësor dhe dytësor shëndetësor dhe social; kryerja e mbikëqyrjes së plotë në koordinimin e planifikimit urban dhe rural; ofrimi i shërbimeve për anëtarët e saj në përputhje me ligjet e Kosovës.

Sipas Marrëveshjes së Brukselit, Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të ketë një Kuvend, një kryetar që përfaqëson Asociacionin para autoriteteve qendrore dhe jashtë Kosovës, një zëvendëskryetar, një këshill, një bord, një administratë, një zyrë për ankesa, ndërkaq që do të duhej të përcaktohej me statut.

Çështja kryesore në lidhje me themelimin e Asociacionit është ajo e kompetencave të saj.

Në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se këto parime për Asociacionin nuk ishin plotësisht në harmoni me frymën e Kushtetutës, të përmendur në nenin 3, për “barazinë para ligjit” dhe kapitujt “të drejtat dhe liritë themelore”, si dhe “të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre”.

Me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese ishte përcaktuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të themelohet ashtu siç e parasheh Marrëveshja e parë e Brukselit, e ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës./Shqip.com