Pas vendimit të Apelit, reagon mbrojtja e Haradinajt dhe Gucatit

Gjykata e Apelit sot e ka ulur masën e dënimit për ish-pjesëtarët e UÇK-së, Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn. Nga 4 vjet e gjashtë muaj burgim, Apeli uli për tre muaj këtë dënim ndërsa, gjoba prej 100 eurove mbetet në fuqi.
Lidhur më këtë ka reaguar ekipi mbrojtës i Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit, të cilët janë shprehur të zhgënjyer me vendimin e panelit të Gjykatës së Apelit.
“Jemi të zhgënjyer me vendimin e panelit të Gjykatës së Apelit. Nuk kemi arritur akoma të konsiderojmë detajet e vet aktgjykimit por, mund të cekim se do ta apelojmë çështjen më tej në Gjykatën Supreme të Dhomave të Specializuara të Kosovës sa i takon shkeljeve esenciale të procedurës dhe të ligjit gjatë shqyrtimit kryesor dhe gjatë procedurës në Gjykatën e Apelit”, thuhet në deklaratën për media të ekipit mbrojtës të Hysni Gucatit.
Ndërsa, ekipi mbrojtës i Nasim Haradinajt ka deklaruar se do të apelojnë ndaj vendimit të fundit të Prokurorisë Speciale në Hagë.
Ata kanë njoftuar se do të apelojnë aktgjykimin në Kolegjin e Gjykatës Supreme të Dhomave të Specializuara dhe se zvogëlimi prej tre muajsh nuk e ndreq dënimin dukshëm joproporcional të shqiptuar.
Sipas tyre, Kolegji i Apelit me të drejtë e ka liruara Haradinajn nga akuza për pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, por nuk i ka shqyrtuar në mjaftueshmëri arsyet e mbetura të ankesës dhe nuk i ka trajtuar siç duhet argumentet që shkojnë në thelb të procesit.
Po ashtu, mbrojtja ka reaguar edhe për faktin që Kolegji i Apelit në përmbledhjen e tij iu referua transferimit të Haradinajt në një shtet tjetër, ku do të vuante pjesën e mbetur të dënimt.
“Në pritje të ankesës në Kolegjin e Gjykatës Supreme, z. Haradinaj duhet të qëndrojë në Njësinë e Paraburgimit në Hagë dhe sa i përket çdo transferimi, Haradinaj do të presë që përfundimisht të transferohet për të vuajtur çdo dënim në Republikën e Kosovës, ashtu siç duhet. Kujtohet se kjo nuk është një gjykatë ndërkombëtare apo ad hoc, por një organ gjyqësor vendas”, thuhet në deklaratën për media.
/Shqip.com